Ortodoksët e Serbisë marshojnë kundër EuroPride
Mijëra të krishterë ortodoksë, duke mbajtur kryqe, ikona fetare dhe pllakate, brohoritën dhe u lutën, teksa u mblodhën para Kishës së Shën Savës, në Beograd, më 28 gusht, për të protestuar kundër një parade krenarie të homoseksualëve.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vendosi më 27 gusht për “shtyrjen apo anulimin” e festimeve të planifikuara të EuroPride-it. Megjithatë, organizatorët janë zotuar se do t’i mbajnë ngjarjet, që janë planifikuar për periudhën 12-18 shtator.
Një flamur rus i ngritur mbi turmën gjatë protestës.
Vuçiq ka thënë se qeveria është përballur me trysni të madhe nga grupet djathtiste dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe për të anuluar ngjarjen. Ai ka lënë hapur mundësinë që ngjarja të mbahet në një datë të mëvonshme.
Peshkopi ortodoks serb, Nikanor, përshëndeti vendimin e autoriteteve për të ndalur “përdhosjen e vendit tonë, kishës tonë dhe familjes sonë”. Gati 85 për qind e serbëve identifikohen si të krishterë ortodoksë.
Marshet e krenarisë në Beograd janë shoqëruar nga dhuna më 2001 dhe 2010. Në vitet e tjera, ato janë mbajtur paqësisht, ndonëse me prani të madhe policore.
Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Serbi ka thënë se është e shqetësuar për ndalesën e paralajmëruar, duke thënë se ajo do të cenonte “lirinë e tubimit, siç garantohet nga Kushtetuta serbe”.
Pjesëtarët e Shoqatës Evropiane për Organizimin e Paradave të Krenarisë e kanë zgjedhur kryeqytetin e Serbisë tre vjet më parë për të organizuar ngjarjen e përvitshme, duke shpresuar se do të përfaqësonte një arritje të madhe për një vend sllav, i cili është tradicionalisht konservator dhe nën ndikimin e fuqishëm të Kishës Ortodokse.
Përpjekja e Beogradit për të organizuar ngjarjen është mbështetur nga kryeministrja Ana Bërnabiq, e cila është gruaja e parë dhe personi i parë haptas homoseksual që mban këtë pozitë në Serbi.
Bërnabiq është akuzuar nga grupet për të drejtat e homoseksualëve në Serbi se nuk po bën mjaftueshëm për t’i ndihmuar statusit të tyre në vend. Ajo e ka mbështetur vendimin e Vuçiqit për anulimin e EuroPride-it.
Serbia është duke kërkuar formalisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, teksa në të njëjtën kohë po synon t’i ruajë lidhjet e ngushta me Rusinë, e cila ka miratuar ligje shtypëse kundër komunitetit LGBT në vitet e fundit.
Forumi Demokratik Qytetar opozitar e ka akuzuar presidentin serb se “po luan diktatorin”, duke ndjekur shembullin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Gjatë marshit të 28 gushtit, pjesëmarrësit mbanin fotografitë e Putinit dhe Dragolub “Drazha” Mihailoviqit, një udhëheqës kontrovers nacionalist serb gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 2013, Rusia miratoi një ligj që ndalonte “propagandën e marrëdhënieve jotradicionale seksuale”, në mesin e të miturve, të ndëshkueshme me gjoba dhe me burgim.
Policia duke siguruar një qendër informimi të komunitetit LGBT, gjatë marshit protestues në Beograd, më 28 gusht.
Që nga viti 1992, një qytet i ndryshëm evropian e ka organizuar ngjarjen EuroPride.