Serbia konstituon Kuvendin e ri

Kuvendi i Serbisë. 1 gusht 2022.

Në Beograd më 1 gusht u konsitua Kuvendi i ri i Serbisë.

Sot fillon afati 90 ditor për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

Vazhdimi i seancës së Kuvendit është të martën, më 2 gusht, në të cilën do të zgjidhet Kryesia e Kuvendit.

Kandidati për kryetar të Kuvendit është Vladimir Orliq nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën më 3 prill.

Kuvendi i Serbisë përbëhet nga 250 deputetë dhe koalicioni i mbledhur rreth Partisë Progresive Serbe (SNS), që udhëhiqet nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka fituar më shumë se 120 vende.

SHIKONI EDHE: Nisin konsultimet për Qeverinë e re, Vuçiq takon Shaip Kamberin

Opozita e Bashkuar e Serbisë e udhëhequr nga Partia për Liri dhe Drejtësi e Dragan Gjilas ka fituar 38 ulëse në Kuvendin e ri.

Partnerja e mëhershme e partisë së Vuçiqit, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) ka fituar 31 mandate.

Koalicioni i të gjelbërve të majtë, Moramo (Ne duhet) ka fituar 13 ulëse. Po ashtu janë edhe disa parti parlamentare djathtiste – Zavetnici (Të betuarit) dhe Dveri me nga dhjetë deputetë dhe koalicioni NADA (Shpresa) me 15 deputetë.

Në mesin e listave që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë në legjislaturën e re do të jenë edhe: Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM) me pesë deputetë, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit me tre, dhe SDA Sanxhak dhe Së Bashku për Vojvodinën me nga dy deputetë.

Ndërsa “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” do të ketë një deputet.

Edhe pse Partia Përparimtare Serbe (SNS), që udhëhiqet nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në legjislacionin e ri parlamentar fitoi shumicën e votave, ajo e vetme nuk do të mund të formojë shumicën.