Serbia do të ketë një çmim shumë të favorshëm për gazin rus dhe se një marrëveshje për furnizime me këtë lëndë, që do të nënshkruhet, do të jetë trevjeçare, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
“Ne do të nënshkruajmë një kontratë trevjeçare dhe nesër apo pasnesër, ne do të diskutojmë për sasinë e gazit. Serbisë i duhen sasi të mëdha të gazit, por mund të them se ne do të kemi një dimër të sigurt dhe bisedimet e mëtejme do të përcaktojnë se sa do të kushtojë gazi për ne”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë të blejë gaz rus dhe çmimi do të jetë në bazë të formulës ekzistuese, e cila varet nga lëvizjet e çmimeve të naftës në tregun botëror, që nënkupton “ne do të kemi çmimin më të favorshëm të gazit në Evropë”.
Çmimi i gazit që Serbia do të blejë nga Gazpromi rus aktualisht është tri herë më i ulët sesa çmimi me të cilin e blejnë këtë lëndë shtetet e tjera evropiane, ndërkaq në dimër, ky çmim do të jetë dhjetë deri në 12 herë më i ulët.
Vuçiq tha se çmimi pritet të jetë 340 deri në 350 dollarë për 1,000 metër kubikë të gazit, por “ky nuk është çmimi final sepse do të varet nga sasia që do të dërgohet”.
Ai theksoi se janë pajtuar për çmimin për furnizimin e 2.2 miliardë metër kubikë gaz në vit dhe shtpi se Serbisë i duhen edhe 800 milionë metër kubikë për shkak të zhvillimit të industrisë.
Marrëveshja aktuale për furnizimin me gazin rus skadon më 31 maj.
Serbia kryesisht është e varur nga Rusia në sektorin e energjisë dhe në tregun e gazit dhe naftës në Serbi, monopol ka krijuar kompania ruse, Gazprom.
Gazpromi, drejtpërdrejtë apo përmes kompanive kontraktuese, është furnizuesja kryesore e naftës në Serbi. Po ashtu, kjo kompani ruse është e vetmja furnizuese e gazit në Serbi dhe ka në pronësi tubacionet e gazit që sjellin këtë lëndë nga Rusia në Serbi.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Furnizimet me gaz ishin tema kryesore e vizitës së Vuçiqit në Rusi më 25 nëntor të vitit 2021.
Pas takimit me Putinin, Vuçiq deklaroi se në gjashtë muajt e ardhshëm çmimi i gazit rus për Serbinë nuk do të ndryshojë dhe do të jetë 270 dollarë për 1,000 metra kubikë.
Vuçiq më pas deklaroi se kishte diskutuar me Putinin për marrëveshjen e re, por shtoi se nuk do të jepte detaje derisa marrëveshja të nënshkruhej. Megjithatë, ai theksoi se Serbia do të ishte “e kënaqur” dhe se çmimi do të ishte “i arsyeshëm”.
Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin kishte deklaruar se “një zgjidhje e pranueshme” do të arrihej për çmimin e gazit rus që i shitet Serbisë.
Në konferencën për media më 29 maj, Vuçqi po ashtu tha se i ka prezantuar Putinit qëndrimin e Serbisë për të arritur paqe në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se presidenti rus po ashtu i tregoi atij të dhënat më të reja për këtë çështje, por edhe qëndrimin e tij.
“Ai tha se është ofruar një marrëveshje, e cila është në tavolinë në Moskë, Kiev dhe në qendrat e tjera. Kam dëgjuar disa elemente, por nuk është diçka me të cilën mund të merrem. Shpresoj që paqja të arrihet. Për të tjerat, unë mund të them se kemi pasur një bisedë korrekte dhe të mirë”, tha Vuçiq.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke bërë që Perëndimi të vendoste sanksione të ashpra ndaj Moskës. Serbia është i vetmi shtet në rajon që ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Finlanda konfirmoi më 21 maj se Rusia kishte pezulluar gazsjellësin, pasi ky shtet nordik refuzoi që të paguante me rubla për gazin e blerë nga Gazpromi.
Rusia po ashtu ka suspenduar furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, të cilat po ashtu kanë refuzuar që të paguajnë me rubla për energjinë ruse.