Serbia mban në fuqi gatishmërinë luftarake

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Fotografi nga arkivi.

Në Beograd më 27 maj është mbajtur takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është vendosur që gatishmëria e ushtrisë serbe do të vazhdojë të mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Në këtë takim mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili një ditë më parë vendosi për ngritjen e gatishmërisë luftarake.

Vendimi për mbajtjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë, u tha se është marrë për shkak të "përdorimit brutal të forcës nga [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti kundër popullit serb në Kosovë".

Në këtë mbledhje, sipas Presidencës serbe, të pranishmit janë pajtuar “për të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.

“Është theksuar se KFOR/NATO nuk e ka kryer punën e vet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike nga Kumanova”, u tha në njoftim.

Po ashtu, u tha se gjenerali i forcave të armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, është në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin, Angelo Michele Ristuccia.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u takuan përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi, po mbahet një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaiviqit dhe Zubin Potokut që të hyjnë në zyrat e tyre, që hasi në kundërshtim nga grupe të serbëve lokalë.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para ndërtesave komunave, ndërkaq ata hodhën gurë në drejtim të policëve. Pas ndërhyrjes së policisë, kryetarët e rinj hynë në zyrat e tyre.

*Video: Tensionet në veri të Kosovës

Your browser doesn’t support HTML5

Nën gaz lotsjellës, kryetarët hynë në zyrat në veri


Policia bëri të ditur se të paktën pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.

Rritja e tensioneve në veri u dënua nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.

Shtetet e Bashkuara i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, çdo opsion tjetër “do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.

SHIKONI EDHE:

Kurti: I kuptojmë shqetësimet e partnerëve, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeveKryetarët hynë në komunat në veri, Serbia ngre gatishmërinë luftarakeBlinken: Kurti t’i ndalojë menjëherë masat e dhunshme


Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.