Luftimi i emigrimit ilegal: Serbia shton patrullimet në kufi

Forcat speciale serbe duke ruajtur emigrantët që u kapën afër kufirit Serbi-Hungari, pranë qytetit të Suboticës më 12 shtator.

Serbia është rruga kryesore për emigrantët nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme që synojnë të arrijnë në BE. Policia serbe ka qenë prej kohësh në kufi, por tani ka përforcuar zonën me personel më të armatosur.

Armët që u gjetën pranë kampit të improvizuar të emigrantëve.

Zëvendësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasiljeviq, tha se forcat e tij ishin të përqendruara t'i mbajnë emigrantët në qendrat e pritjes dhe që konfliktet mes tyre të jenë sa më të vogla.

Policia tha se arrestoi 371 emigrantë përgjatë kufirit më 12 shtator, në mesin e tyre edhe një familje me dy fëmijë të vegjël.

Sipas OJQ-së serbe, Qendra për Mbrojtjen e Azilit, rreth 1.500 migrantë përpiqen të kalojnë në Hungari çdo ditë, dhe shumë prej tyre u japin para të gatshme trafikuesve të njerëzve në këmbim të kalimit të kufirit.

Rreth gjysma e migrantëve u dëbuan "ilegalisht" përtej kufirit nga zyrtarët hungarezë, tha Radosh Gjuroviq nga Qendra për Mbrojtjen e Azilit.
 

Emigrantët e ndaluar të ulur në gjunjë me duar të lidhura me pranga pranë kampit të tyre të improvizuar afër kufirit.

“Më pas, këta individë bien edhe një herë në kthetrat e trafikantëve, të cilët sërish kërkojnë pagesë”, tha Gjuroviq, duke shtuar se grupe të ndryshme kriminale janë përfshirë në kontrabandimin me migrantë dhe kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.

"Ne kemi parë një numër në rritje të incidenteve të armatosura që përfshijnë emigrantë", tha Gjuroviq, duke shtuar se incidentet përfshinin grupe të ndryshme kriminale "që luftonin për territor".

Sipas shifrave zyrtare, 3.326 persona janë të vendosur nëpër qendrat e pritjes për emigrantë. Mirëpo, shumë prej emigrantëve nuk janë akomoduar në objekte të tilla dhe mund të shihen në rrugët e kryeqytetit, Beograd, si dhe përgjatë kufirit me Hungarinë.
 

Beogradi ka përforcuar kufirin me Hungarinë derisa qindra emigrantë çdo ditë tentojnë të kalojnë në Bashkimin Evropian, mes luftërave të supozuara në terren nga bandat kriminale dhe konflikteve të vazhdueshme në mesin emigrantëve. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)