Në Serbi insistojnë që rregullorja e BQK-së të diskutohet në dialogun politik

Banka Popullore e Serbisë

Banka Popullore e Serbisë (NBS) kërkoi shfuqizimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) - e cila e përcakton euron si valutë të vetme për pagesat në Kosovë - dhe kërkoi që çështja të zgjidhet me dialog politik.

Me rregulloren e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, iu dha fund përdorimit të dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e ka përdorur monedhën e saj për t'i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë - përfshirë këtu spitalet dhe shkollat.

Banka Popullore e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të bëhet fjalë” për një marrëveshje mes saj dhe Bankës Qendrore të Kosovës, siç sugjeroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet ekskluzivisht në kuadër të dialogut në nivelin ekzistues”, tha NBS-ja, duke iu referuar bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga REL-i nëse Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar shtrimin e kësaj çështjeje në dialog, zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se qëndrim i Qeverisë është se BQK-ja është institucion i pavarur dhe se politikanët nuk mund të dalin mbi institucionet e pavarura të shtetit.

Një ditë më herët, zëvendëskryeministri Bislimi u zotua se do të ketë një periudhë tranzicioni nga dinari në euro dhe se rregullorja e BQK-së nuk do të thotë ndalim i transferimit të parave nga Serbia në Kosovë.

Ai, po ashtu, tha se shpreson që bankat qendrore të të dyja vendeve të zhvillojnë bisedime, në mënyrë që të gjendet një mekanizëm për një transferim transparent të mjeteve.

SHIKONI EDHE: Pse Kosova po insiston në ndalimin e dinarit?

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Banka Qendrore e Kosovës tha se është e gatshme që të angazhohet në bisedime me institucionin homolog në Serbi.

Pa ofruar shumë detaje, BQK-ja tha se “ekzistojnë mënyra dhe shembuj” se si mund të realizohet “transferimi i mjeteve në llogaritë bankare të përfituesve në valutën euro”.

Por, Banka Popullore e Serbisë këmbënguli se rregullorja e BQK-së “nënkupton pamundësinë e pagesës së rrogave, pensioneve, përfitimeve sociale dhe të ardhurave të tjera për popullatën serbe në dinarë”.

Ky institucion tha se, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore të Serbisë, “do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke i pasur parasysh interesat e qytetarëve të Serbisë” në Kosovë.

Zyrtarët në Beograd paralajmërojnë luftë diplomatike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi të enjten ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, të cilin tha se e ka njoftuar për vendimin e Prishtinës “kundër popullit serb” në Kosovë.

Ai tha se po kërkon zgjidhje për “aktin e papërgjegjshëm” të Qeverisë së Kosovës.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të luftojë politikisht dhe diplomatikisht për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Vuçeviq tha për Radio Televizionin e Serbisë se dekreti i Bankës Qendrore të Kosovës paraqet “sulm mbi sigurinë ekonomike” të serbëve në Kosovë.

Ministria e Financave dhe Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë çështje.

SHIKONI EDHE: Vuçiq mban takim urgjent me ministrat serbë për vendimin e BQK-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se SHBA-ja e kundërshton zbatimin e ngutshëm të rregullores së BQK-së, ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se blloku “është i shqetësuar për pasojat që ky vendim mund t'i ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën, për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake”.

Dinari në Kosovë

Që nga paslufta më 1999, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar kryesisht dinarin për pagesa.

Ata, po ashtu, kanë mundur të tërheqin dinarë nga bankomatet e bankave me bazë në Serbi.

Dinarët kanë hyrë në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.

Ato para, pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.

Kjo situatë është zhvilluar kështu pavarësisht faktit se Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës e ka justifikuar rregulloren e saj duke thënë se ka “obligim ligjor” për ta rregulluar sistemin financiar, veçanërisht një çështje si monedha, e cila “ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë”.

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq