Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk ishte në dijeni rreth faktit që Serbia nuk ka mbështetur deklaratën e Bashkimit Evropian, përmes së cilës, përgjegjësia për vdekjen e opozitarit rus, Aleksei Navalnyt, iu atribuuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Deri më tani, ne nuk jemi pajtuar për çështje të tilla dhe tani, vërtetë, nuk mund t’iu tregoj për këtë rast sepse nuk e di. Por, e di se nëse se kemi bërë deri më tani, do të isha i befasuar nëse tani do të ishte ndryshe”, tha Vuçiq teksa iu përgjigj gazetarëve në Tiranë, ku ai mori pjesë në një samit të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Ai tha se nuk mendon që mosmbështetja e deklaratës së BE-së është “tragjedi e madhe”.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia të bëjë llogaritë me kujdes dhe të vlerësojë në mënyrë të pavarur këtë rast”.
Më herët, Radio Evropa e Lirë mësoi nga burimet diplomatike në Bruksel se Serbia nuk e kishte mbështetur deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalnyt.
Këtë deklaratë, në emër të BE-së e ka paraqitur përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Radio Evropa e Lirë mësoi se vendet që nuk janë anëtare të BE-së kanë pasur afat deri më 28 shkurt që t’i bashkoheshin kësaj deklarate. Deri në atë datë, Serbia nuk ishte shprehur për këtë temë dhe kjo nënkupton që nuk e ka mbështetur të njëjtën. Me deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalynt nuk është pajtuar as Turqia.
Burimet në Bruksel konfirmuan se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbështetën deklaratën e bllokut evropian.
SHIKONI EDHE:
E veja e Navalnyt i bën thirrje BE-së ta hetojë rrjedhën e parave të lidhura me PutininNdihmësja e Navalnyt thotë se ai u vra derisa po negociohej për këmbimin e tijSerbia edhe në të kaluarën nuk ka përshtatur qëndrimet me politikën e jashtme të BE-së, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë. Përkundër thirrjeve nga BE, që secili shtet kandidat i cili synon integrimin në bllok të përshtatet me deklaratat dhe qëndrimet e BE-së, Serbia ka vazhduar t’i injorojë këto thirrje.
Serbia po ashtu nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.
Ndryshe, Navalny, kritik i ashpër i Kremlinit, vdiq më herët gjatë këtij muaji në një burg në Arktik, ku po vuante një dënim të gjatë nën akuza për ekstremizëm.
Familja e tij, bashkëpunëtorët dhe shumë qeveri perëndimore e kanë fajësuar drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e Navalnyt.