Një serb dënohet për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë

Një tank në Donbas.

Shtetasi serb, Vllado Staniq, u dënua me një vit burgim për pjesëmarrje në luftë n e 2015-s në territorin e Ukrainës.

Më 15 korrik të këtij viti, Staniq ishte arrestuar në Aeroportin e Beogradit “Nikolla Tesla”, dhe më pas ai pranoi para autoriteteve se kishte marrë pjesë në luftë.

Siç shpjegoi gjykatësja, më 9 shtator, Staniqit iu shqiptua dënimi minimal për akuzën për pjesëmarrje në luftë apo konflikt të armatosur në një shtet të huaj, për shkak se luftës iu bashkua si pjesë e një grupi.

Koha e kaluar në paraburgim do t'i llogaritet në dënim.

Përveç dënimit me një vit burgim, Staniqit iu konfiskuan edhe dokumentet e udhëtimit.

Ai është liruar nga burgu dhe do të ftohet më vonë që të vuajë dënimin e shqiptuar.

Avokatja e Staniqit, Katarina Ninkoviq, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se do ta apelojë vendimin.

“Ne besojmë se këtu nuk ka ndonjë krim të vërtetë sepse në kohën kur u krye krimi, klienti im nuk e dinte se kjo ishte shkelje penale. Kjo pasi, vepra penale për pjesëmarrje në luftë apo konflikt të armatosur është futur në legjislacion më 2014. Ai e kreu krimin më 2015, gjashtë muaj pasi legjislacioni ishte prezantuar”, tha ajo.

Your browser doesn’t support HTML5

Serbët luftojnë përkrah separatistëve në Ukrainë

Sipas aktakuzës, në mars të vitit 2015 Staniq në mënyrë vullnetare iu bashkua forcave pro-ruse në lindje të Ukrainës, si pjesë e formacionit paramilitar të Regjimentit Hussar.

Sipas raportimeve, në një qytet në Donbas – që është nën kontrollin e forcave pro-ruse – ai i kishte kontrolluar të gjitha makinat dhe pasagjerët që hynin në atë zonë. Ai ksihte shërbyer në një pikë kontrolli, duke mbajtur të veshur uniformën e të ashtuquajturës Republikë Popullore e Luhanskut dhe Donjeckut, u tha në aktakuzë.

Sipas një vlerësimit të Ambasadës ukrainase në Serbi, më shumë se 300 shtetas serbë shkuan për të luftuar përkrah forcave pro-ruse në konfliktin në lindje të Ukrainës që nisi më 2014.

Pjesëmarrja në luftëra të huaja në Serbi u bë vepër penale më 2014, për të cilën legjislacioni parasheh dënim deri në dhjetë vjet burgim.

Në periudhën 2015-2018, Serbia dënoi 32 persona për pjesëmarrje në luftën në lindje të Ukrainës. Më 2021, një person u dënua për organizim të udhëtimit për në fushëbetejat në Ukrainë.