Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha se serbët në katër komuna në veri të Kosovës ende po rezistojnë të regjistrohen, por jo edhe ata në gjashtë komuna në jug të Ibrit, ku po “regjistrohen në mënyrë masive”.
“Komuniteti serb (në veri) ende heziton në mënyrë masive“, tha Kastrati në një konferencë për media në Prishtinë, në të cilën foli për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që ka filluar më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.
Lidhur me mospjesëmarrjen e serbëve të veriut në procesin e regjistrimit, Kastrati tha se javën e kaluar janë zhvilluar bisedime me disa institucione ndërkombëtare dhe “sigurisht ata do t’ju transmetojmë atë çka u thamë ne”.
“Ata duhet të dinë se kjo është një e mirë edhe për ata, për të ditur numrin e atyre që jetojnë në këto komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston”, tha Kastrati, duke u bërë thirrje serbëve në veri të regjistrohen.
Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Kastrati tha se kjo thirrje e Listës Serbe është “jashtë ligjit” dhe se ASK-ja në ditët në vijim do të veprojë sipas ligjit në fuqi, duke mos thënë se çka saktësisht do të bëjë.
“(Kjo thirrje) ka pasur ndikim te pjesa veriore, kurse te pjesa jugore komuniteti serb është duke u regjistruar në mënyrë masive. Projekti i regjistrimit të popullsisë do të ecë përpara. Nëse komuniteti në atë pjesë nuk merr pjesë, ne do të bëjmë një vlerësim sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Kastrati.
SHIKONI EDHE: A po rrezikohet regjistrimi i komunitetit boshnjak me terminologjinë e gabuar?Kosova më 29 prill shënon ditën e 24-të të regjistrimit dhe sipas Kastratit, procesi po shkon ashtu siç është planifikuar.
Sipas tij, ditëve të fundit është regjistruar numër më i madh i popullsisë sesa ishte e planifikuar.
“Deri dje (më 29 prill), janë regjistruar më shumë se 891.000 banorë të Kosovës”, deklaroi Kastrati.
Kastrati u bëri thirrje qytetarëve të jenë aktivë dhe se nëse regjistruesi nuk vjen te një familje brenda këtyre 5-6 ditëve të fundit, banorët duhet të kontaktojnë komunën e tyre për angazhimin e një ekipi. Nëse komuna nuk përgjigjet, banorë duhet ta kontaktojnë vetë ASK-në.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai po ashtu tha se banorët duhet të regjistrohen aty ku kalojnë më shumë kohë gjatë një viti, jo në komunën prej nga vjen.
Kastrati tha se ka mundësi që të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë të publikohen në pjesën e dytë të muajit qershor.
“Të dhënat do të jenë interesante edhe befasuese, sidomos te struktura e popullsisë, ndoshta edhe te mosha mesatare”.
Your browser doesn’t support HTML5