Një grup dypartiak prej 14 senatorëve amerikanë e kanë paralajmëruar në një letër kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, se synimi i vendit të tij për ta risjellë një “ligj për agjentët e huaj të stilit rus” mund të shkaktojë ndryshime në politikën amerikane karshi Tbilisit.
Në letër, të dërguar më 26 prill dhe të cilën e siguroi Zëri i Amerikës, senatorët thanë se janë “tejet të shqetësuar që po minohen synimet transatlantike të Gjeorgjisë”.
Kjo letër u dërgua pak pasi Komiteti amerikan i Helsinkit i bëri thirrje partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ta tërheqë projektligjin për “agjentët e huaj” dhe i kërkoi Tbilisit të “largohet nga kjo rrugë e dëmshme”.
Qeveritë perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar projektligjin kontrovers të Gjeorgjisë për “agjentët e huaj”, për të cilin thonë se është kopje e një ligji të ngjashëm rus, të cilin Moska e përdor për t’i luftuar zërat kritikë në vend.
Mijëra gjeorgjianë kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar kundër këtij projektligji. Ky legjislacion kishte nxitur protesta masive edhe kur u soll për herë të parë vitin e kaluar, duke e detyruar Qeverinë ta tërheqë projektligjin.
SHIKONI EDHE: Mijëra njerëz protestojnë kundër ligjit për “agjentët e huaj” në GjeorgjiMamuka Mdinaradze, kryetar i grupit parlamentar të Ëndrrës Gjeorgjiane, tha këtë muaj se partia e ka ndër mend ta risjellë këtë projektligj, i cili do t’i detyronte organizatat jofitimprurëse dhe mediat, të cilat financohen nga jashtë dhe të cilat janë të angazhuara në aktivitete “politike”, të raportojnë për aktivitetet e tyre para autoriteteve.
Projektligji parasheh gjithashtu që autoritetet të kenë kompetenca të mëdha mbikëqyrëse, si dhe dënime të mundshme për vepra të paspecifikuara penale.
Ëndrra Gjeorgjiane tha se projektligji i ri është i njëjtë me atë që u tërhoq vitin e kaluar, vetëm se e ka një ndryshim: Termi “agjentët e huaj” është zëvendësuar nga një term më i tërthorët, “organizatat që ndjekin interesat e pushteteve të huaja”.
Senatorët amerikanë i hodhën poshtë pretendimet e Qeverisë gjeorgjiane se ky legjislacion është i barasvlershëm me ligjin amerikan që u kërkon qytetarëve amerikanë të regjistrohen si agjentë të huaj, nëse ata i përfaqësojnë interesat e një pale të huaj në Shtetet e Bashkuara.
Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, kryetari i Ëndrrës Gjeorgjiane, tha më 27 prill se letra e senatorëve “bazohet në keqkuptime”.
Zyrtarët e Ëndrrës gjeorgjiane kanë ngulur këmbë se legjislacioni ka për qëllim të sjellë transparencë në një kohë tensionesh së larta.
“Vendi ynë, fatkeqësisht, ende përballet me sfida. Sfida kryesore është pushtimi i huaj i 20 për qind të territorit tonë. Trupat ruse qëndrojnë në territorin e okupuar, edhe pse ka edhe rreziqe të tjera në vendin tonë”, tha Garibashvili.
Ndjesia antiruse mund të jetë e fuqishme shpesh në Gjeorgji. Trupat ruse ende e kontrollojnë rreth një të pestën e territorit të Gjeorgjisë, shumicën e të cilit e morën gjatë luftës së vitit 2008.
Leximi përfundimtar i projektligjit do të hidhet për debat më 17 maj.
SHIKONI EDHE: Gjeorgjia llogarit në ndihmën e mikut rreth ligjit për agjentët e huajPresidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, tha për BBC kohë më parë se ajo do të përdorë veto kundër projektligjit, nëse ai kalon në leximin e dytë.
Zurabishvili tha se shqetësimi i saj kryesor është se projektligji në fjalë është “tamam kopje e ligjit të [presidentit rus Vladimit] Putin”.
Megjithatë, Zurabishvili tha se partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane ka mjaft deputetë për ta rrëzuar veton e saj.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Gjeorgji e ka kritikuar rikthimin e projektligjit, duke thënë se ai nuk është në përputhje me vlerat e bllokut, të cilit Tbilisi dëshiron t’i bashkohet.
Human Rights Watch gjithashtu e ka kritikuar këtë legjislacion.
Gjeorgjia ka qenë e zëshme në synimin e saj për t’iu bashkuar BE-së, dhe vitin e kaluar e mori statusin e vendit kandidat pasi Qeveria u tërhoq nga përpjekja e parë për ta kaluar këtë projektligj, pas protestave të mëdha.