Sektori i përpunimit të ushqimit shënon rritje të prodhimit

Foto nga arkivi

Sektori i përpunimit të ushqimit, sipas Klubit të Prodhuesve, është përfituesi më i madh nga taksa 100 për qind të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës për të gjitha importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se përgjatë një viti që kur është vendosur taksa, kompanitë prodhuese kanë raportuar se kanë rritur kapacitetet, kanë zgjeruar veprimtaritë e tyre si dhe kanë shtuar numrin e punëtorëve.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, tha për Radion Evropa e Lirë se rënia e konkurrencës nga Serbia, ka ndikuar që sektorë të caktuar prodhues, të jenë përfitues nga vendosja e taksës 100 për qind.

“Ndikimi ka qenë shumëdimensional sa i përket përfitimeve që i kanë pasur prodhuesit nga vendosja e tarifës 100 për qind ndaj Serbisë. Ka shumë sektorë që kanë përfituar, do ta veçoja sektorin e përpunimit të ushqimit, pijet freskuese, vaji dhe shumë të tjera. Po ashtu, ka pasur rritje edhe sektori i përpunimit të drurit, sektori i përpunimit të plastikës. Këto kanë qenë sektorë që i kanë pasur konkurrencë nga Serbia”, thotë Panxha.

SHIKONI EDHE: Taksa po ndryshon tregun e mallrave në Kosovë

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Importi i produkteve nga Serbia, ishte i fokusuar në industrinë e ushqimit, por nuk mungonin as sektorët tjerë.

Ky shtet, para 21 nëntorit të vitit 2018, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti. Taksa ka ulur importin nga ky shtet për 99 për qind.

Në një anketë të realizuar me bizneset nga Klubi i Prodhuesve, thotë Panxha, disa nga bizneset prodhuese kanë rritur punësimin deri në 30 për qind, si dhe kanë zgjeruar edhe veprimtaritë e tyre.

“Kjo nënkupton që kemi pasur rritje të sektorit të prodhimit. Kjo tregohet edhe nga rritja e kreditimit nga bankat për sektorin e prodhimit. Kompanitë kanë pasur rritje në investime pasi që është rritur kërkesa për produkte si rrjedhojë e vendosjes së tarifës dhe kompanitë prodhuese kanë investuar në makineri të reja”, thotë Panxha.

Shoqata e Bankave të Kosovës pati njoftuar më parë se kreditimi për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë ka shënuar një ngritje të konsiderueshme në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Sipas tyre, kreditimi për sektorin e prodhimit në Kosovë pati ngritje prej 20 për qind.

Flamujt e origjinës së produktit

Kompanitë prodhuese në Kosovë thonë se në rritjen e kapaciteteve prodhuese përveç taksës 100 për qind efekt ka pasur edhe vendimi për vendosjen e flamurit të origjinës së produktit nëpër dyqane.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, tha për Radion Evropa e Lirë se brenda një viti është rritur kapaciteti prodhues rreth 30 për qind si dhe është shtuar numri i punëtorëve.

“Po kemi pasur rritje. Në tregun vendor kemi rritje deri në 30 për qind, por kemi rritje edhe në eksport. Kemi punësuar 30 persona më shumë. Taksa ka pasur ndikim në vetëdijesimin e konsumatorëve. Taksa ka bërë që qytetarët t’i provojnë produktet vendore dhe t’i konsumojnë. Po ashtu edhe vendosja e flamujve ka qenë e qëlluar dhe duhet të vazhdohet dhe të jetë obligative për dyqanet në mënyrë që konsumatori ta dijë vendin e origjinës së produktit”, thotë ai.

Liridon Berisha, drejtor i marketingut të një rrjeti të dyqaneve në Kosovë, gjatë një konference të organizuar në javën e konsumimit të produkteve vendore javën e kaluar pati thënë se ka rritje të shitjes së produkteve vendore.

“Çdo vit kemi rritje të shitjes së produkteve vendore dhe jemi duke i përkrahur në mënyrë që të zëvendësohen produktet e importeve me produktet vendore në mënyrë që të bëjmë një zhvillim të brendshëm ekonomik”, pati thënë Berisha.

Kosova vazhdon të ketë një sektor jo shumë të zhvilluar të prodhimit.

Prodhuesit në Kosovë theksojnë se përballen me probleme të shumta, si tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, ekonomia joligjore, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit, jostabiliteti me energji elektrike si dhe konkurrenca jo e barabartë.