Sektori i barnave, ‘lider’ për korrupsion në shëndetësi 

Ilustrim

Sektori i shëndetësisë, duke veçuar sidomos ai i barnave, ka rezultuar të jetë ndër më të korruptuarit, është thënë në ditën e katër të javës kundër korrupsionit, e cila po mbështetet nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të Quint-it. Sektori i shëndetësisë, është potencuar si një prej atyre që mund të konsiderohen si problematik, është thënë nga përfaqësuesit e Instituti “Columbus”, një prej organizatave që po merret me hulumtimet e korrupsionit.

Mbi 20 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë. Ky buxhet, sipas zyrtarëve shëndetësorë, cilësohet si i pamjaftueshëm, por ata gjithashtu kanë theksuar faktin se Ministria e Shëndetësisë, blenë barna më të shtrenjta sesa çmimi real i tyre në treg.

Dardan Selimaj, drejtor i institutit ‘Columbus’ tha se të gjeturat e raportit janë shqetësuese, pasi tregojnë se barnat esenciale të blera nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të urdhëresave administrative dhe ligjeve në fuqi, kanë ndikuar që buxheti i Kosovës të shpenzojnë nga 10 deri në 2000 për qind më shumë mjete për një ilaç, i cili në treg është dukshëm më i lirë.

“Ende nuk është iniciuar asnjë lëndë lidhur me këtë çështje dhe kjo është arsyeja pse ne kemi ardhur deri të prezantimi i të gjeturave të raportit. Ministri premtoi se në mandatin e tij do të iniciojë dhe do të marrë masa që këto gjëra të rishqyrtohen dhe shpresojmë që ato do të ndodhin, derisa ne do të vazhdojmë ta përcjellim këtë sektor derisa të merren masa”, tha Selimaj.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili deklaroi se qëkur është emëruar ministër, ka bërë përpjekje maksimale për analizimin e situatës reale lidhur me gjendjen në të gjithë sektorin shëndetësor, rrjedhimisht edhe në atë farmaceutik.

“Çmimet për barnat që blihen nga Ministria e Shëndetësisë duhet të jenë referente me tregun në rajon. Në funksion të kësaj ka nisur edhe procesi i ri i auditimit të jashtëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhur me ‘efektivitetin dhe efikasitetin në planifikimin, shpërndarjen dhe monitorimin e barnave të listës esenciale””, tha ministri Ismaili.

“Unë u kam bërë thirrje edhe kompanive farmaceutike, që kontraktohen për furnizim me barna nga Ministria e Shëndetësisë, të jenë të përgjegjshme dhe të ofertojnë vlera reale, përndryshe do të përballen me pasoja ligjore”, tha tutje Ismaili.

Miranda Jolicoeur, zëvendësdrejtoreshë e zyrës për Demokraci dhe Qeverisje, në kuadër të USAID-it, tha se mbi 40 për qind e buxhetit të Kosovës shpenzohet përmes prokurimit publik, andaj, sipas saj, për ta luftuar korrupsionin në këtë fushë, duhet një përkushtim më i madh që prej pushtetit lokal, deri te nivelet më të larta të pushtetit së bashku edhe me shoqërinë civile.

“Do duhet të ketë konkurrencë dhe çdo person në Kosovë të marrë shërbime më të mira. Kjo javë kundër korrupsionit e thekson se sa me rëndësi është shoqëria civile në monitorimin, në mënyrë që të gjithë të kenë qasje në shërbime”.

“Shoqëria civile luan një rol të madh, dhe do duhet të jetë bashkë me Qeverinë në mbështetje të këtyre reformave të mëdha. Monitorimi gjithashtu është diçka kritike dhe po ashtu pjesë e zgjidhjes për të riparuar shumicën e problemeve”, tha Jolicoeur.

Ndërkohë, drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi, organizatë kjo mjaftë aktive në Javën kundër korrupsionit, thanë se në përgjithësi aty ku ka para publike ka edhe veprimtari të mëdha korruptive. Sipas tyre, është zyra e prokurimit ajo që është shndërruar në një mjet për të korruptuarit të bëjnë miliona, ashtu siç kanë bërë në të gjithë sektorët.

Sidoqoftë, panelistët kanë potencuar edhe faktin se nuk është vetëm shëndetësia, por janë të gjithë sektorët që janë të prekur nga veprimtaritë korruptive.