Të paktën 21 persona të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Zjarrfikësit përpiqen ta shuajnë zjarrin pranë një ndërtese banimi që u bombardua nga Rusia në Sumi, Ukrainë, 17 nëntor.

Një sulm raketor rus e goditi një ndërtesë banimi në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, duke i vrarë të paktën 21 njerëz dhe duke plagosur rreth 100 të tjerë, njoftuan zyrtarët ukrainas të hënën.

Sulmi në Sumi i pasoi bombardimet e pareshtura ruse kundër rrjetit energjetik të Ukrainës mëngjesin e së dielës.

Kievi tha se Rusia i përdori 120 raketa dhe 90 dronë gjatë atyre sulmeve.

“E diela në mbrëmje u bë ferr për qytetin Sumi, një tragjedi që Rusia e solli në tokën tonë”, tha Volodymyr Artyukh, kryetar i administratës ushtarake të Sumit.

SHIKONI EDHE: Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Administrata ushtarake e Sumit tha se një sulm tjetër raketor e goditi rrjetin energjetik, duke e lënë qytetin pa rrymë.

Forca Ajrore e Ukrainës tha se forcat ruse përdorën raketa të llojit Iskander-M, dhe një raketë të telekomanduar Kh-59, gjatë sulmit të natës.

Më shumë se 400 njerëz u evakuuan nga qyteti, sipas shërbimit emergjent.

Fotografi të postuara në Telegram nga Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës shfaqën zjarrfikësit duke i luftuar zjarret dhe shpëtimtarët duke i bartur njerëzit jashtë ndërtesës.

Prokuroria rajonale e Sumit tha se 90 banesa, 28 vetura, dy institucionale arsimore dhe 13 ndërtesa u dëmtuan nga ky sulm.