Scholz, Macron dhe Tusk takohen sot për të biseduar për Ukrainën

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz (djathtas) dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të takohet sot në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe me kryeministrin polak, Donald Tusk.

Takimi i tyre vjen në një kohë kur janë duke u rritur dallimet mes Gjermanisë dhe Francës në politikën e tyre për Ukrainën.

Scholz pritet të takohet me Macronin të premten në mesditë.

Dy liderët do ta takojnë pastaj së bashku kryeministrin polak Tusk.

Ky do të jetë takimi i parë i Trekëndëshit të Vajmarit në nivel të lartë prej qershorit të vitit të kaluar.

SHIKONI EDHE: Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe

Bisedimet mes tyre do të mbahen gati tri javë pas takimit të rreth 20 liderëve qeveritarë në Paris, ku u diskutua lufta në Ukrainë. Konferenca e tyre mbaroi me qëndrime të ndara për mundësinë e dërgimit të trupave në zonën e luftës.

Trekëndëshi i Vajmarit u themelua në gusht 1991 nga ministrat e atëhershëm të jashtëm Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski, në Vajmarit, në Gjermani.

Ky grup ka filluar të takohet më shpesh prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para pak më shumë se dy vjetëve.

Të enjten, Macroni përsëri u bëri thirrje fuqive perëndimore të mos tregojnë shenja dobësie kundër Rusisë, si dhe e përsëriti qëndrimin e tij se dërgimi i trupave perëndimore brenda Ukrainës nuk duhet të hidhet poshtë.

“Sot nuk jemi në gjendje, por të gjitha këto opsione janë të mundura”, tha Macron.

Scholz e kishte kundërshtuar qëndrimin e Macronit pas takimit të liderëve në Paris për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Ai kishte thënë se pjesëmarrësit ishin pajtuar që vendet evropiane të mos dërgojnë "trupa tokësore" në tokën ukrainase.