Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e dënoi luftën në Ukrainë gjatë një bisedime telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të premten, njoftoi Qeveria gjermane.
Por, biseda e parë pas gati dy vjetëve mes liderit gjerman dhe atij rus, ka nxitur paralajmërime nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se biseda telefonike e Scholzit me Putinin është “Kutia e Pandorës” që mund ta ndihmojë Putinin “ta lehtësojë izolimin e tij, izolimin e Rusisë dhe të angazhohet në negociata konvencionale që nuk prodhojnë asgjë”.
Zelensky tha se shkëmbimet e tilla të zbrazëta janë “pikërisht ajo që Putini ka pritur për kohë të gjatë”, teksa lufta tashmë dyvjeçare e gjysmë po vazhdon.
Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se Scholzi e dënoi “luftën agresore të Rusisë” kundër Ukrainës, gjatë bisedës së tyre telefonike, dhe i kërkoi Putinit t’i japë fund asaj duke i tërhequr trupat ruse që e pushtuan vendin fqinj në shkurt 2022.
“Kancelari i bëri thirrje Rusisë të tregojë gatishmëri për të negociuar me Ukrainën, me qëllim të arritjes së një paqeje të drejt dhe afatgjate. Ai e theksoi vendosmërinë e palëkundur të Gjermanisë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus sa të jetë e nevojshme”, tha Hebesreit.
SHIKONI EDHE: A do të mposhten trupat e dërrmuara ukrainase nga ushtarët koreanoveriorë?Kremlini tha se biseda u zhvillua me kërkesë të Gjermanisë dhe se ishte "një shkëmbim i hollësishëm dhe i hapur mendimesh mbi situatën në Ukrainë".
Ai përsëriti pikat e zakonshme të diskursit të Moskës për origjinën e konfliktit në "politikën afatgjatë agresive të NATO-s" dhe tha se Rusia "nuk ka refuzuar kurrë dhe mbetet e hapur për rifillimin e negociatave". Kremlini e përmendi një fjalim të Putinit në qershor dhe theksoi se çdo marrëveshje e mundshme duhet t’i ketë parasysh interesat e sigurisë së Rusisë së bashku me "realitetet e reja territoriale dhe, më e rëndësishmja, t’i eliminojë shkaqet kryesore të konfliktit".
Putini, sipas Kremlinit, e përshkroi përkeqësimin e marrëdhënieve gjermano-ruse si "të paparë në të gjitha fushat" dhe tha se Rusia është e gatshme për "bashkëpunim të ndërsjellë të dobishëm" në sektorin e energjisë.
Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se Scholz foli me të më pas bisedës me Putinin dhe se Varshava është e kënaqur që ai "përsëriti pozicionin polak: 'Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën'".
Lideri gjerman i dënoi sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë dhe paralajmëroi se dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi për të luftuar në luftë kundër Ukrainës, shënon përshkallëzim serioz të konfliktit.
Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut i ka dërguar mijëra ushtarë në Rusi për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.
Qeveria gjermane nuk tregoi se sa kohë zgjati biseda telefonike me Putinin, por agjencia gjermane e lajmeve, DPA, tha se zgjati një orë.