Departamenti Amerikan i Shtetit i ka shpallur si persona të padëshiruar dy biznesmenët nga Shqipëria, Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi.
Aqif Rakipi është ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga Partia Drejtësi, Integrim, Unitet (PDIU) dhe biznesmen, ndërsa Ylli Ndroqi është pronar i një televizioni në Shqipëri.
Ata janë në mesin e shtatë personave të tjerë nga Ballkani Perëndimor të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilësohen si kërcënim serioz për stabilitetin dhe demokracinë në këtë rajon.
SHIKONI EDHE: SHBA sanksionon shtatë persona nga Ballkani Perëndimor“Krimi i organizuar mbetet një kërcënim domethënës në Shqipëri dhe aktorët kriminalë mbeten me ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë si hinkë për mbështetjen e kandidatëve të favorizuar”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Kush është Aqif Rakipi?
Aqif Rakipi u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga Qarku i Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ku mori 18 për qind të votave në Elbasan, që u përkthyen në dy mandate, nga gjithsej tri që mori kjo parti në ato zgjedhje.
Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i Parlamentit të Shqipërisë në vitin 2018 pasi nuk kishte deklaruar një procedim në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhura me emra të rremë.
Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet se Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka një ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.
“Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose koncesione në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një grup të krimit të organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, duke përfshirë edhe korrupsionin”, thotë Departamenti i Thesarit.
DASH thotë se Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në postet kryesore publike në Elbasan dhe Tiranë.
SHIKONI EDHE: BE-ja s’i përjashton sanksionet ndaj politikanëve të BallkanitRakipi u përjashtua nga Parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit, por në zgjedhjet e fundit parlamentare të zhvilluara më 25 prill 2021, djali i tij, Orlando Rakipi, u zgjodh me një numër të lartë votash si deputet i Partisë Socialiste për Tiranë.
Kush është Ylli Ndroqi?
Ylli Ndroqi është një biznesmen nga Shqipëria në fushën e medias dhe infrastrukturës. Ai është pronar i televizionit Ora News dhe Channel 1, si dhe një radioje informative.
Departamenti i Thesarit bën të ditur se ai është një pronar mediash, të cilit i janë sekuestruar pasuritë nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale.
“Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontroll për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.
SHIKONI EDHE: TI: Ligjbërja dhe ndikimi në gjyqësor mundësojnë kapjen e shtetit në Ballkanin PerëndimorNdroqi përcaktohet për përgjegjësi ose bashkëpunim, ose përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion.
Ndroqi, i cili është në hetim qe dy vjet nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, tha se “sipas legjislacionit amerikan vendosja e emrit (të tij) në këtë listë është e rishikueshme”, duke shprehur besim që ky vendim do të rishikohet.
“Kam qenë dhe mbetem mbështetës i reformave të kryera në vend duke përfshirë Reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha jam dhe mbetem mbështetës i interesave të SHBA-së në vend dhe më gjerë dhe besoj fort që miqësia midis vendit tonë dhe SHBA-së është e një rëndësie thelbësore dhe bazohet në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha ai.
Vendimet për sanksionimin e zyrtarëve të ndryshëm në Ballkanin Perëndimor kanë nisur që në vitin e parë të udhëheqjes së administratës së presidentit Joe Biden, i cili e ka bërë prioritet luftimin e korrupsionit si pjesë të politikës së tij të jashtme për vendet në tranzicion, përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
SHIKONI EDHE:
Britania sanksionon dy politikanë serbë të BosnjësRadoiçiq, Vesellinoviq dhe serbë të lidhur me ta sanksionohen nga SHBA-jaAdministrata Biden e ka identifikuar korrupsionin si kërcënim për sigurinë kombëtare, duke e quajtur pengesë për zhvillimin ekonomik dhe vetë demokracinë.
Në rajon, manifestimi i kësaj politike anti-korrupsion ka marrë trajtën e sanksioneve ndaj individëve dhe entiteteve që SHBA-ja i konsideron kërcënim për stabilitetin e shteteve në Ballkanin Perëndimor.
SHIKONI EDHE: Rrjeti i biznesmenëve serbë të sanksionuar nga SHBA-jaNdër caqet e para të këtyre sanksioneve ishte ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dikur reformator dhe aleat perëndimor për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.
Këto sanksione kanë përfshirë liderin nacionalist serb të Bosnjës, Millorad Dodik, për kërcënimin e vazhdueshëm ndaj sovranitetit të Bosnjës, një rrjeti serb të krimit të organizuar të lidhur me strukturat politike në Serbi dhe Kosovë në veriun e tensionuar të Kosovës.
“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
Vendimi për të shpallur persona të padëshirueshëm Rakipin dhe Ndroqin pason paralajmërimin e DASH-it se lista e këtyre personave në Shqipëri do të zgjerohet.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka pranuar të komentojë shpalljen “non grata” të ish-deputetit Aqif Rakipi, teksa i biri i tij është deputet i Partisë Socialiste.
“Nuk e kuptoj pse i bëni këto pyetje kur jemi në Berlin. Këto janë pyetje që i takojnë katundit tonë të përbashkët. Kur të kthehemi në katund, t’i diskutojmë edhe këto në klubin e katundit tonë të përbashkët”, tha Rama në takimin me gazetarët shqiptarë në Berlin, pas konferencës për shtyp një ditë më parë me kancelarin gjerman, Olaf Schoz.
As presidenti Ilir Meta nuk ka reaguar.
Në deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se “SHBA-ja dhe partnerët e saj si Britania e Madhe po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009.
Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 dhe prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.
Ajo ka marrë dritën jeshile për nisjen e negociatave, por megjithatë, asnjë datë nuk është vendosur se kur do të fillojë ky proces.
Megjithatë, Shqipëria shpeshherë është parë si peng i aktorëve politikë, duke e lënë ndër vendet më të pazhvilluara dhe më të varfra në Evropë.