Sanksionet e SHBA-së kërcënojnë ekonominë e Venezuelës

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin duke paraqitur sanksionet e administratës së Trumpit ndaj Venezuelës

Qytetarët e Venezuelës pritet të ballafaqohen me thellim të krizës brutale ekonomike, pasi Shtetet e Bashkuara i vunë sanksione kompanisë shtetërore të naftës, PDVSA.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shpreson se sanksionet, të cilat e pengojnë PDVSA-në të mbledhë të hyra nga shitjet e naftës së papërpunuar në rafineritë amerikane, do t’i bëjnë presion presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që të japë dorëheqje dhe t’i lejojë udhëheqësit të opozitës, Juan Guaido, njëherësh president i vetëshpallur, t’i thërrasë zgjedhjet.

Përpjekjet e opozitës në Venezuelë për të rrëzuar Maduron janë rritur ditëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara dhe mbi 20 vende të tjera e kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha se Maduro dhe aleatët e tij “nuk mund të plaçkitin më pasuritë e popullit të Venezuelës”.

Maduro, në një fjalim në televizionin shtetëror, tha se do të ndërmarrë veprime ligjore për t’i sfiduar sanksionet dhe u zotua se do të hakmerret.

“Do të sigurojmë përgjigje reciproke dhe bindëse – të nevojshme për të mbrojtur interesat e Venezuelës”, tha Maduro, por nuk përmendi ndonjë masë specifike.

PDVSA iu përgjigj sanksioneve, duke urdhëruar klientët me cisterna, që prisnin për t’u ngarkuar me naftë të papërpunuar, të parapaguajnë. Parapagimi i tillë mund të jetë në kundërshtim me sanksionet dhe mund të çojë në bllokada nëpër porte.

Venezuela varet shumë nga SHBA-ja për të ardhurat e saj nga nafta. Ajo i dërgon 41% të eksporteve të naftës në SHBA.

SHIKONI EDHE: Venezuela ndërpren marrëdhëniet me SHBA-në

Humbja e këtyre të ardhurave pritet t’i vështirësojë tutje mundësitë e qeverisë për të importuar mallra bazë, si ushqime dhe barna.

“Nëse nuk gjeni së shpejti vend për naftën e papërpunuar, hapësira për manovrim do të tkurret dhe importet do të preken”, tha për agjencinë Reuters Asdrubal Oliveros, drejtor i kompanisë konsulente Ecoanalitica, me seli në Karakas.

Guaido, i cili thotë se Maduro e ka uzurpuar presidencën edhe për gjashtë vjet, u shpreh i gatshëm të marrë 20 milionë dollarë ndihma humanitare, të premtuara nga Shtetet e Bashkuara.

Por, për të marrë nën kontroll funksionet shtetërore, Guaidos i duhet mbështetja e ushtrisë, e cila vazhdon të qëndrojë pas Maduros.

Bolton po ashtu i bëri thirrje ushtrisë së Venezuelës që “të pranojë transferimin paqësor, demokratik dhe kushtetues të pushtetit".

Ai refuzoi të përjashtojë mundësinë e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në Venezuelë.

Video nga arkivi: Policia e Venezuelës hedh gaz lotsjellës në protestat kundër qeverisë

Ekonomia në Venezuelë është dobësuar shumë nën presidentin Maduro.

Inflacioni i lartë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e gjërave bazë kanë bërë që miliona njerëz të ikin nga ky vend.

Maduro është rizgjedhur për një mandat të dytë vitin e kaluar, por zgjedhjet kanë qenë të diskutueshme, pasi shumë kandidatë të opozitës janë ndaluar të garojnë ose janë burgosur.

Përgatiti: Valona Tela