Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione kundër katër punonjësve të inteligjencës iraniane të cilët planifikuan të rrëmbejnë një gazetare amerikane.
Plani i tyre është parë si një përpjekjeje më e gjerë për të heshtur kritikët e qeverisë në Teheran.
Irani ka hedhur poshtë pretendimet.
Departamenti i Thesarit njoftoi sanksionet më 3 shtator kundër zyrtarit të lartë të inteligjencës së Iranit, Alireza Shahvaroghi Farahani, si dhe tre vartësve të tij Mahmoud Khazein, Kiya Sadeghi dhe Omid Noori.
SHIKONI EDHE: Thirrje Iranit për t’iu kthyer bisedimeve për marrëveshjen bërthamoreFarahani drejton një rrjet të agjentëve të inteligjencës të cilat kanë në shënjestër disidentët iranianë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Departamenti i Thesarit në deklaratën e tij.
Këta katër zyrtarë planifikuan të rrëmbenin Masih Alinejad, një aktiviste dhe gazetare irano-amerikane që punon në Nju Jork.
Pas kidnapimit, ata planifikonin ta transportonin atë me skaf në Venezuelë dhe prej aty ta dërgonin në Iran, thuhej në një njoftim të muajit korrik nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Katër iranianët akuzohen për komplot në lidhje me rrëmbimin, shkeljet e sanksioneve, mashtrimet bankare dhe pastrimin e parave.
"Komploti i rrëmbimit është një shembull tjetër i përpjekjes së saj të vazhdueshme për të heshtur zërat kritikë, kudo që të jenë", tha Andrea Gacki, drejtoreshë e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit.
"Kjo tregon se represioni i qeverisë iraniane vepron përtej kufijve të Iranit", tha ajo.
SHIKONI EDHE: Arrestime në Iran për keqtrajtimet e dyshuara në burgSanksionet e vendosura ndaj zyrtarëve të inteligjencës iraniane bllokojnë çdo pronë që ata kanë në Shtetet e Bashkuara, si dhe ndalojnë çdo qytetar amerikan të bëjë transaksione me ta.
Irani më 4 shtator kundërshtoi vendimin amerikan duke thënë se ai pasqyron "varësinë e Uashingtonit nga sanksionet".
"Tani po përdorin skenarët e Hollivudit për t'i mbajtur gjallë sanksionet", tha ministria e Jashtme e Iranit në një postim në Twitter më 4 shtator, duke cituar zëdhënësin Saeed Khatibzadeh.
Shtetet e Bashkuara më 2018 kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit dhe janë tërhequr nga një marrëveshje bërthamore të cilën Teherani e kishte arritur me fuqitë botërore dhe e cila kufizonte aktivitetin bërthamor të tij.
Që nga ajo kohë Irani ka filluar gradualisht me moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Një përpjekje për t’i rikthyer palët në marrëveshje, në Vjenë të Austrisë janë mbajtur disa negociata me ndërmjetësimin e evropianëve, mirëpo ato nuk kanë sjellur ndonjë rezultat.