Liderët e “Ballkanit të Hapur”, Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Dimitar Kovaçevski do të marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor më 23 qershor në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi praninë në samiti, por theksoi se është ende herët për të qenë optimistë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një postim në Twitter kreu i qeverisë shqiptare tha se “ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë për Ballkanin e Hapur”.
“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”- shkruhet në postimin e Ramës në Twitter.
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm të BE-së e ka diskutuar me video-lidhje me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.
"Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri te mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit", thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
SHIKONI EDHE: Samiti i BE-së pritet të përsërisë 'perspektivën evropiane' për BallkaninKomisioni Evropian që nga viti 2018 ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por vendimi i insitucioneve evropiane për këtë çështje ende nuk është marrë.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.