Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e përmbylli të dielën samitin dyditor të G20-ës, i cili nuk i shprehu plotësisht ndarjet e thella rreth luftës në Ukrainë dhe rreth ndryshimit klimatik, por ia dha atij mundësinë të jetë në qendër të vëmendjes diplomatike.
Liderët e G20-ës kanë qenë thellësisht të ndarë rreth luftës në Ukrainë qëkur Moska e nisi pushtimin e saj vitin e kaluar, ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk mori fare pjesë në samit për ta shmangur përbuzjen politike.
Liderët e Grupit të 20 kombeve, i cili përbëhet nga Rusia, Kina dhe nga disa prej mbështetësve më të mëdhenj të Ukrainës, ka kohë të gjatë që kanë vështirësi të pajtohen për shumë gjëra, posaçërisht për pushtimin tashmë 18-mujor.
Duke e ditur që përballet me turpërim të madh diplomatik, India u bëri trysni vendeve anëtare që të pajtohen për Deklaratën e Liderëve të shtunën, në të cilën ata e dënuan përdorimin e forcës për të uzurpuar territor të huaj, por i shmangën kritikave e drejtpërdrejta ndaj Rusisë.
SHIKONI EDHE: Liderët e G20-ës nuk e dënojnë Rusinë për luftën në Ukrainë, bëjnë thirrje për paqeKievi ka thënë se G20-ta “nuk ka asgjë për t’u ndier krenar”, por ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili mori pjesë në samit në vend të Putinit, tha të dielën se për ta ishte fitore diplomatike.
“Ne ishim në gjendje t’i parandalojmë përpjekjet e Perëndimit për ta bërë agjendën e samitin rreth Ukrainës”, tha diplomati veteran, duke e cilësuar si “sukses” samitin e fundjavës. “Deklarata s’e përmend fare Rusinë”.
Të dielën, Modi e mbylli edhe formalisht samitin duke ia kaluar presidencën e samitit presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, vendi i të cilit do të jetë mikpritës i samtit të radhës vitin e ardhshëm.
“Ne nuk mund t’i lejojmë çështjet gjeopolitike ta izolojnë agjendën e bisedimeve”, tha Lula, duke iu referuar mospajtimeve rreth luftës në Ukrainë.
“Ne nuk kemi asnjë interes nga ndarja e G20-ës. Ne kemi nevojë për paqe dhe bashkëpunim në vend të konfliktit”, theksoi ai.
Nëpunësi civil i Indisë, Amtabh Kant, shkroi në X, rrjetin social e njohur si Twitter dikur, se për deklaratën e kompromisit rreth Ukrainës u deshën “mbi 200 orë bisedime të pandërprera, 300 takime dypalëshe dhe 15 drafte”.
SHIKONI EDHE: Unioni Afrikan edhe formalisht i bashkohet G20-ës në Nju DelhiMegjithëse u takuan në atë që vëzhguesi i Bashkimit Evropian për klimën tha se me gjasë është viti më i nxehtë në historinë e njerëzimit, liderët dështuan të pajtohen për heqjen graduale nga përdorimi dhe prodhimi lëndët djegëse fosile.
Ata e mbështetën një synim për trefishimin e kapacitetit të energjisë së ripërtëritshme globale deri në vitin 2030, duke u përkushtuar vetëm në “heqjen nga përdorimi të thëngjillit” në përputhje me “rrethanat kombëtare”.
Anëtaret e G20-ës, Rusia dhe Arabia Saudite, janë eksportuese të mëdha të naftës, derisa konsumi i thëngjillit po rritet në Kinë dhe në Indi, të cilat janë tashmë prodhuesit më të mëdhenj të lëndëve djegëse ndotëse.
SHIKONI EDHE: Shefi i OKB-së: Familja globale është “jofunksionale”“G20-ta e popullit”
Modi, i cili e përshkroi samitin si rritje diplomatike të Indisë dhe po bën trysni për një ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e festoi pranimin e Unionit Afrikan si anëtarin e 55-të të G20-ës.
Modi ka kërkuar ta pozicionojë Nju Delhin si zëri i Jugut Global dhe ky qëndrim i tij e shndërroi grupin në “G20-ta e popullit”.
Ai propozoi edhe një takim tjetër të liderëve të G20-ës në nëntor përmes video-lidhjes, duke ia hapur rrugën Putinit t’i bashkohet takimit – si dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, i cili nuk mori pjesë në samit me gjigantët aziatikë për shkak të mosmarrëveshjeve rreth territorit dhe çështjeve të tjera.
Lula tha se Putini do të jetë i lirë t’i bashkohet samitit të vitit të ardhshëm në Rio de Zhaniero, megjithëse Brazili është nënshkrues i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila ka lëshuar urdhërarrest për liderin rus nën dyshimin për krime lufte.
“Nëse unë jam president i Brazilit dhe nëse ai vjen në Brazil, nuk ka shanse që ai të arrestohet”, tha Lula të shtunën.
Liderë të tjerë biseduan në margjinat e samitit, ndërsa presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili bisedoi kokë më kokë me homologun e vet egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, të dielën, pas një zënke dekadëshe mes këtyre dy vendeve.