Zelensky para G20-ës: Tani është koha për të përfunduar luftën

Bali, Indonezi, 15 nëntor 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha udhëheqësve botërorë se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është “tani”.

“Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërruese ruse duhet dhe mund të ndalet”, tha ai, duke iu drejtuar samitit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që po mbahet në Bali të Indonezisë.

Ndalja e luftimeve “do të shpëtonte mijëra jetë”, tha Zelensky përmes video-lidhjes.

Zelensky tha se Ukraina nuk do të lejojë që trupat ruse të rigrupohen pas tërheqjes së tyre nga qyteti strategjik i Hersonit dhe paralajmëroi se do të ketë luftime më intensive, derisa forcat e tij të rimarrin kontrollin e gjithë territorit të pushtuar.

Çlirimi i Hersonit, të premten e kaluar, ishte një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.

SHIKONI EDHE: Çfarë do të ndodhë në luftën në Ukrainë pas tërheqjes ruse nga Hersoni?

Zelensky i kërkoi Moskës që t’i tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe të riafirmojë integritetin territorial të Ukrainës.

Ai tha se Ukraina nuk do të rrezikojë sovranitetin, territorin ose pavarësinë e saj.

Zelensky përmendi disa mënyra për arritjen e paqes, përfshirë: garantimin e sigurisë bërthamore dhe ushqimore, përfundimin e armiqësive dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Ai vazhdimisht iu drejtua udhëheqësve si “G19”, duke përjashtuar qartazi Rusinë.

SHIKONI EDHE: Zelensky viziton Hersonin: Jemi gati për paqe

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov - zyrtari më i lartë i këtij vendi i pranishëm në samitin e G20-ës - tha se kushtet e Kievit për bisedime me Moskën janë “joreale”.

“Të gjitha problemet janë me palën ukrainase, e cila po i refuzon kategorikisht negociatat dhe po parashtron kushte që janë padyshim joreale”, u tha Lavrov gazetarëve.

Ai, po ashtu, akuzoi vendet perëndimore për “politizimin” e deklaratës së përbashkët në samitin e G20-ës.

Draft-deklarata, e parë nga agjencia e lajmeve Reuters, thotë se “shumica” e anëtarëve të G20-ës e dënojnë ashpër luftën në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Rusia mohon se Lavrov u shtrua në spital

Thirrjet e vendit nikoqir për udhëheqësit e G20-ës ishin për unitet dhe për veprime konkrete në rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, na nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën”, tha presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, përpara se liderët e vendeve më të pasura t'i fillonin diskutimet me dyer të mbyllura.

“G20-ta duhet të jetë katalizator për rimëkëmbjen gjithëpërfshirëse ekonomike. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në pjesë. Nuk duhet të lejojmë që bota të futet në një tjetër luftë të ftohtë”, tha Widodo.

G20-ta, e cila përfshin vende nga Brazili deri në Indi, Arabi Saudite dhe Gjermani, përbën më shumë se 80% të bruto prodhimit të brendshëm të botës, 75% të tregtisë ndërkombëtare dhe 60% të popullsisë.

SHIKONI EDHE: FMN: Perspektiva ekonomike po bëhet më e zymtë

Një shenjë pozitive në prag të samitit ishte takimi mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në të cilin dy liderët premtuan komunikime më të shpeshta, pavarësisht dallimeve të mëdha.

Takimi i së hënës ishte i pari sy më sy i tyre prej se Biden mori detyrën e presidentit në vitin 2021.

SHIKONI EDHE: Biden dhe Xi takohen para samitit të G20-ës

Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.

Pushtimi nxiti thirrjet e disa liderëve perëndimorë për bojkot të samitit dhe për tërheqjen e ftesës për presidentin rus, Vladimir Putin.

Indonezia rezistoi, duke refuzuar ta tërheqë ftesën e Putinit.

Kremlini tha se Putin është shumë i zënë për të marrë pjesë në samit dhe dërgoi ministrin e Jashtëm, Lavrov, në vend të tij.

Përgatiti: Valona Tela