Në Bruksel, të enjten dhe të premten zhvillohet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, nga i cili do të shprehet mbështetje edhe për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe do t'u bëhet thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këtë marrëveshje.
Temat kryesore të samitit do të jenë Ukraina, forcimi i ekonomisë evropiane, energjia, emigracioni dhe forcimi i eurozonës.
Por, liderëve të BE-së pritet t'u raportojë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Shefi i diplomacisë evropiane tha para fillimit të samitit se Kosova dhe Serbia duhet të fokusohen në zbatimin e asaj që është rënë dakord.
“Çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje marrëveshjen, është e kotë. Marrëveshja është arritur. Duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për zgjedhje. Duhet të zbatohet në tërësi. Ne do të monitorojmë me kujdes se kush e zbaton dhe kush nuk e zbaton”, tha Borrell.
Your browser doesn’t support HTML5
Pajtimi i arritur mes palëve në Ohër, të shtunën e shkuar, do të jetë pjesë edhe e konkluzave nga ky takim i liderëve të vendeve anëtare të BE-së.
“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe me mirëbesim të implementojnë obligimet e tyre përkatëse“, thuhet në këtë tekst.
Për këtë temë ishte diskutuar edhe më herët gjatë javës, në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.
Edhe atyre u kishte raportuar Josep Borrell. Ai e kishte quajtur si një “status quo të ri“ në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që do të sigurojë kalimin nga një fazë e krizave, në një fazë të implementimit të marrëveshjes.
Shumë shtete të BE-së e kanë mirpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi.
SHIKONI EDHE: Borrell: Është koha për Kosovën dhe Serbinë të marrin përgjegjësiBurimet diplomatike në Bruksel kënë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes dhe që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.
Në struktuarat e BE-së pritet të nisin edhe procedurat që implementimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe formalisht në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, dhe në raportimin e një Komisioni të veçantë për normalizim për Kosovën.
Në BE kanë përsëritur se, ndonëse nuk është nënshkruar marrëveshja formalisht, për shkaqe ligjore, zbatimi i saj dhe i aneksit për implementim është detyrim për palët.