Sa janë reale testet e Arritshmërisë dhe Maturës?

Ilustrim

Testi Shtetëror i Maturës dhe Testi i Arritshmërisë në Kosovë, si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve, vazhdimisht po përcillet me parregullsi. Nxënësit arrijnë të kopjojnë, madje shpesh ndodh që testi të shpërndahet edhe nëpër rrjete sociale.

Këto teste, kanë nevojë për administrim më të mirë, në mënyrë që të sjellë rezultate të sakta, thonë ekspertë për çështje të arsimit, por edhe vetë nxënësit.

Testit të Maturës dhe atij të Arritshmërisë çdo vit i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, të arsimit të lartë, respektivisht nxënësit e klasës se 9-të, të arsimit të mesëm.

Përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet, respektivisht në shkollë të mesme.

Nxënësi Omer Halili ka përfunduar klasën e nëntë të shkollës fillore dhe ka kaluar Testin e Arritshmërisë. Ai thotë se gjatë mbajtjes së testit nuk janë vërejtur parregullsi, por ato kanë dalë në sipërfaqe pas shpalljeve të rezultateve.

“Çudia më e madhe është, pas shpalljes së rezultateve, numrin më të madh të pikëve e kanë pasur nxënësit që nuk kanë pasur sukses të mirë në vitet shkollore. Nuk e kuptoj si ka ndodhur”, thotë Omer Halili.

Nxënës në një shkollë në Prishtinë...

Pikët e mjaftueshme për të aplikuar në universitet i ka fituar edhe maturantja Gena Imeri. Ajo konsideron se ky test duhet të eliminohet për shkak se rezultatet nuk janë të sakta.

“Më mirë është ta heqin krejt, jemi vlerësuar gjatë tri viteve në gjimnaz. Për mua është i panevojshëm”, thotë ajo.

Por, ekspertë për çështje të arsimit, theksojnë Testi i Maturës dhe ai i Arritshmërisë duhet të mbahen, porse nevojitet administrim dhe menaxhim më i mirë.

Dukagjin Pupovci, drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, vlerëson se me një menaxhim më të mirë, të gjitha parregullsitë që po ndodhin, mund të eliminohen. Parregullsitë që po ndodhin ndër vite, sipas tij, po e zhvlerësojnë komplet procesin e testimit.

“Mendoj se defekti në Kosovë është administrimi jo i mirë i testeve, i cili rezulton me mundësi për kopjim dhe mashtrim, të cilat më pas i nxjerrin ata nxënës që nuk janë përgatitur aq sa duhet, më mirë se sa nxënësit që kanë mësuar në mënyrë sistematike, e të cilët mund të ndodh se janë më të ndërgjegjshëm dhe nuk dëshirojnë të hyjnë në çështje të tilla”, vlerëson Pupovci.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, provimin e Testit të Maturës këtë vit e kanë kaluar 73.3 për qind nga rreth 28 mijë maturantë sa i janë nënshtruar testit, kurse Testin e Arritshmërisë 61 për qind e semimaturantëve, nga rreth 27 mijë, sa kanë marrë pjesë.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se do të hapet debat për gjetjen e metodave tjera që Testi i Maturës të sjellë rezultate reale.

“Ne do të hapim debat për testin e maturës, përtej asaj që do të kemi ndërprerje të internetit nëpër shkolla. Por, konsideroj se do të hapim debat shumë më të gjerë dhe do të shohim metoda tjera të mbajtjes së testit, në mënyrë që testi t’i japë rezultatet reale”, ka thënë Bytyqi

Ndryshe, përveç Testit të Maturës dhe atij të Arritshmërisë, për cilësi të arsimit, në muajin prill të këtij viti, nxënësit e moshës 15 vjeç në Kosovë, i janë nënshtruar një vlerësimi ndërkombëtar, i njohur me emrin “PISA”

Vlerësimi i radhës i ndërkombëtar do të jetë në fund të vitit 2019.