Rusofilët në Kuvendin e Serbisë

Ndërtesa e Kuvendit të Serbisë dhe flamuri i Rusisë krahas atij serb.

Pas zgjedhjeve të 3 prillit, në përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë do të hyjnë tri koalicione opozitare të krahut të djathtë dhe partitë që janë skeptike ose kundërshtojnë hapur anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Koalicioni NADA (Shpresa), i cili përbëhet nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS), me një pjesë të Lëvizjes për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë, fitoi 15 mandate, e ndjekur nga lëvizjet e ekstremit të djathtë Dveri dhe Zavetnici (Të betuarit) me nga 10 mandate.

Së bashku, ata do të kenë 35 nga 250 ulëset në Kuvendin e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve në Serbi 

Përballë tyre janë koalicioni opozitar pro-evropian “Të bashkuar për fitoren e Serbisë” me 37 mandate, si dhe koalicioni i majtë i gjelbër “Moramo” (Ne duhet) me 13 ulëse të deputetëve.

Edhe pse Partia Progresive Serbe (SNS) fitoi numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Serbisë (120), udhëheqësi i saj dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha pas shpalljes së rezultateve, më 3 prill, se Serbia kishte “lëvizur në mënyrë dramatike në të djathtë”.

Kush janë partitë e djathta parlamentare?

Në ulëset e deputetëve kthehet e orientuara e djathtë, Partia Demokratike e Serbisë, në krye të së cilës dikur ishte Vojisllav Koshtunica, i cili në vitin 2000, në zgjedhjet për president të Republikës Federale të Jugosllavisë e mundi Sllobodan Millosheviqin. Në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kjo parti nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor.

Udhëheqësi i tyre, Millosh Jovanoviq, konsideron se kërcënimi për interesat kombëtare të Serbisë vjen nga Perëndimi dhe nga NATO-ja, kur bëhet fjalë për Kosovën, Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për pozicionin e popullit serb në Mal të Zi.

SHIKONI EDHE: Kush janë kandidatët për president të Serbisë dhe çfarë ofrojnë?

Ai thotë se Rusia mban anën e Serbisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në parlament po rikthehet edhe koalicioni rreth lëvizjes së ekstremit të djathtë Dveri. E udhëhequr nga Boshko Obradoviq, kjo lëvizje hyri për herë të parë në parlamentin republikan në vitin 2016 dhe në vitin 2020 iu bashkua një pjese të opozitës në bojkotimin e zgjedhjeve.

Dveri angazhohet kundër hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, “hyrjes së emigrantëve ilegalë” në territorin e Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Ata e shohin Rusinë si “garantuese të ruajtjes së Kosovës në kuadër të Serbisë”.

Për herë të parë në bankat parlamentare do të ulen deputetët e partisë së ekstremit të djathtë, Zavetnici, emri i të cilëve është zgjedhur, siç thuhet në faqen e tyret të internetit, bazuar në “përvojën historike, në të cilën pikë qendrore zë betimi për Kosovën”.

SHIKONI EDHE: Simboli ‘Z’, kudo në Mitrovicë të Veriut

Ata e kundërshtojnë anëtarësimin në BE dhe e konsiderojnë Rusinë “garantuesin më të fortë të ruajtjes së sovranitetit” të Serbisë.

Të tria opsionet e krahut të djathtë, në fushatën zgjedhore mbrojtën një qëndrim të favorshëm ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës dhe kritikuan qeverinë për shkak se iu bashkua dënimit në Kombet e Bashkuara të agresionit rus.

Për këtë shkak, Boshko Obradoviq i ka drejtuar “kërkimfalje Rusisë dhe popullit rus”, ndërkaq ka marrë pjesë edhe në protestat në mbështetje të Moskës në Beograd.

SHIKONI EDHE: Me vetura, serbët në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës

Deri në publikimin e këtij teksti, liderët e tri partive të djathta nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Cili do të jetë ndikimi i tyre?

Edhe pse nuk kanë numër të mjaftueshëm mandatesh për të ndikuar në vendimet e Kuvendit të ardhshëm, partitë e djathta, sipas vlerësimit të ish-deputetit të SNS-së në pushtet, Dragan Shormaz, ato “do të jenë problem në rrugën evropiane të Serbisë”.

“Natyrisht, këto zgjedhje treguan se Serbia shkoi djathtas. Ata janë rusofilë, nuk janë të djathtë dhe e kaluan pragun zgjedhor sepse shpërtheu lufta (në Ukrainë) dhe siç tha presidenti Vuçiq, ata askush nuk i sulmoi”, tha Shormaz për Radion Evropa e Lirë.

Natën e zgjedhjeve, më 3 prill, Vuçiqi tha se lufta në Ukrainë kishte “një ndikim të madh në rezultatet e zgjedhjeve”.

Partitë e së djathtës kanë përfituar nga një atmosferë pro-ruse në një vend ku, sipas hulumtimeve, më shumë se gjysma e qytetarëve besojnë se vendi duhet të jetë neutral ndaj Ukrainës, qoftë edhe me çmimin e sanksioneve, ndërsa mbi 20 për qind mendojnë se Beogradi duhet qartë dhe me zë të lartë të qëndrojë në anën e Moskës.

Sfidat për Qeverinë e re

Mbështetje Rusisë i kanë dhënë edhe mediat e afërta me SNS-në në pushtet, ndërkaq që rritje në raport me rezultatet e zgjedhjeve paraprake kanë shënuar edhe partnerët e tyre të koalicionit nga radhët e socialistëve.

Kjo parti (Partia Socialiste e Serbisë) është konsideruar me orientim pro-rus që nga themelimi i saj në vitin 1990 dhe lideri i saj i parë, Sllobodan Millosheviq, ndërkaq raportet e mediave tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka insistuar gjithmonë, pas dyerve të mbyllura, që ata të jenë pjesë e pushtetit në Serbi.

Ata kanë mbajtur tradicionalisht pozita udhëheqëse në sektorin e energjetikës, i cili varet kryesisht nga Rusia.

SHIKONI EDHE: Komisioni i Zgjedhjeve i Serbisë konfirmon fitoren e listës së Vuçiqit 

Drejtori i ndërmarrjes shtetërore “Serbijagas”, Dushan Bajatoviq, iu bashkua liderit socialist dhe kryetarit të deritashëm të Kuvendit, Ivica Daçiq, i cili edhe para qëndrimit zyrtar të shtetit, tha se Serbia nuk guxon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Megjithëse politika zyrtare e Beogradit është rruga kah Brukseli, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe nuk i ka përmbushur detyrimet e saj për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e BE-së.

Në të njëjtën kohë, mbajtja e marrëdhënieve të ngushta me Moskën dhe Pekinin është subjekt i kritikave nga zyrtarët e Brukselit.

Dragan Shormaz është i vetmi përfaqësues i SNS-së që mbron publikisht një kurs të unifikuar të Serbisë drejt BE-së dhe NATO-s. Ai konsideron se pushteti i partisë së tij, për shkak të luftës në Ukrainë, do të përballet me zgjedhje se kah do të pozicionohet.

“Shumica e madhe e anëtarëve të SNS-së janë në favor të asaj me të cilën unë nuk jam pajtuar dhe kjo është politika me katër shtylla, pra, që të jemi të mirë me të gjithë. Mendoj që koha e neutralitetit ka kaluar dhe ky do të jetë problemi më i madh për qeverinë e ardhshme. Si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të kemi një problem të madh”, theksoi Shormaz.

I radhitur nën numrin 158 në listën parlamentare, Shormaz, pas këtyre zgjedhjeve më nuk do të jetë deputet i SNS-së në Kuvendin e Serbisë.

“Mendoj se edhe ky ishte një vlerësim i keq, sepse do të shoh se kush do të mund të luftojë në mënyrën e duhur për Serbinë evropiane në parlament. E vetmja politikë korrekte dhe e mirë është Serbia në botën euroatlantike, ai është mjedisi ynë. Nuk kemi zgjidhje më të mirë”, theksoi ai.

Çfarë do të bëjë opozita pro-evropiane?

Edhe pse përbëhet nga parti pro-evropiane, lista opozitare “Të bashkuar për fitoren e Serbisë” mbledh në qendër një gamë të gjerë partish.

“Shumë më e rëndësishme se shfaqja e ekstremit të djathtë apo të qendrës së djathtë, është çështja se si dukej fushata e koalicionit ‘Të bashkuar për fitoren e Serbisë’, i cili ishte shumë centrist, madje i orientuar kah e djathta. Mua më duket se mungesa e një opsioni qytetar më të qartë pro-evropian liberal, është problem më i madh”, tha për Radion Evropa e Lirë, më 3 prill, Dushan Spasojeviq nga Fakulteti i Shkencave Politike të Beogradit.

Liderët e listës “Të bashkuar për fitoren e Serbisë” nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, ndërkaq kandidati i tyre për president, Zdravko Ponosh, tha në fushatë zgjedhore se mbështet rrugën e Serbisë drejt BE-së, porse marrëdhëniet speciale me Moskën dhe Pekinin nuk duhet të sakrifikohen.

I vendosur qartë për anëtarësimin e Serbisë në BE, është koalicioni i të gjelbrës së majtë “Moramo” (Ne duhet). Kandidatja e këtij koalicioni për presidente, Biljana Stojkoviq, tha në fushatë se Beogradi duhet ta harmonizojë politikën e tij të jashtme me politikën e Brukselit.

Ajo e quajti sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës një agresion që çoi në një katastrofë humanitare.

Anëtarët e këtij koalicioni morën pjesë në protestat në Beograd, në mbështetje të Ukrainës.

“Konsiderojmë se (BE-ja) është vendi që i përket Serbisë dhe ne do të dëshironim të ishim në atë grup shtetesh dhe popujsh. Kemi edhe kritikat tona që vijnë nga pozicioni i organizatave të majta dhe të gjelbra, por sigurisht që do të donim që këtë ta bënim nga brenda, ta rregullojmë Serbinë dhe të marrim pjesë në përmirësimin e Evropës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Radomir Llazoviq, njëri nga përfaqësuesit e koalicionit “Moramo” (Ne duhet).

SHIKONI EDHE:

BE-ja pret që Serbia “gradualisht” të mbështesë sanksionet ndaj RusisëBE-ja pranë vendimit për sanksione ndaj naftës ruse

I pyetur nëse qeveria e ardhshme mund të llogarisë në mbështetjen e tyre në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Llazoviq u përgjigj:

“Mendoj se problemi është se qeveria jonë nuk po bën lëvizje që na çojnë në Bashkimin Evropian. Ne e vëmë re që kjo nuk do të bëhet në të ardhmen, ndaj dyshoj se do të kemi mundësi të mbështesim çfarëdo qoftë më atë rrugë”, tha ai.

Çfarë thonë në Bruksel?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se prisnin nga Serbia, “në kohën e agresionit ushtarak rus të pajustifikuar në Ukrainë”, si vend që negocion për anëtarësim, që në mënyrë progresive të harmonizohet me qëndrimet e BE-së, përfshirë deklaratat dhe masat restriktive.

Në deklaratën e përbashkët, me rastin e zgjedhjeve në Serbi, Borell dhe Varhelyi, në emër të institucioneve të BE-së, më 5 prill, shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e ardhshme “për të bërë përparim domethënës në zbatimin e vendimit strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE”.

SHIKONI EDHE: Gjykata Ndërkombëtare Penale shpreh shqetësim për pushtimin rus

Ata, gjithashtu, theksuan një varg detyrimesh, përmbushjen e të cilave e presin nga autoritetet e reja, sikurse “rezultatet reale dhe të prekshme”, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, të cilat, sipas deklaratës, do të përcaktoni ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Socialdemokratët evropianë, grupi i dytë më i madh politik në Parlamentin Evropian, kanë thënë, më 4 prill, se është koha që presidenti serb të bënte më në fund një zgjedhje të qartë pro-evropiane, të rivendoste demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe të merrte seriozisht reformën e procesit të zgjerimit.

Një deklaratë e lëshuar nga grupi tha se Serbia duhet të respektojë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.

Në komunikatën, të cilën e ka lëshuar ky grupim, thuhet që Serbia duhet sa më shpejtë që të harmonizohet me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë.

“Në të kundërtën, kjo do të ketë pasoja për perspektivën e saj për në BE”, kanë deklaruar socialdemokratët evropianë.

Për fitoren në zgjedhje, urimet dhe porositë për partneritet strategjik presidentit të Serbisë i kanë shkuar edhe nga Moska.

SHIKONI EDHE: Putini ia uron fitoren Vuçiqit

“Unë pres që puna juaj si shef i shtetit do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e partneritetit strategjik që ekziston midis dy vendeve”, tha presidenti rus, Vladimir Putin, në një telegram drejtuar Aleksandar Vuçiqit, më 4 prill.

E djathta në parlamentet e Ballkanit Perëndimor

Në legjislaturën e mëparshme të Kuvendit të Serbisë, përveç disa deputetëve të partive minoritare, nuk pati opozitë. Partitë më të mëdha bojkotuan zgjedhjet e vitit 2020, duke besuar se nuk kishte kushte për mbajtjen e tyre të lirë.

Paraprakisht, në zgjedhjet e vitit 2016, koalicioni i partive të djathta, DSS dhe Dveri, kishte 13 deputetë. Në atë kohë, me 22 deputetë në Kuvend ishte edhe Partia Radikale Serbe, parti kjo ekstremiste e të dënuarit të Hagës, Vojisllav Sheshel. Në zgjedhjet që pasuan, kjo parti mbeti nën pragun zgjedhor, ashtu sikurse edhe në zgjedhjet e 3 prillit të sivjetmë.

Gjashtë vjet më vonë, në Kuvend janë sërish tri parti të djathta, me të njëjtin numër mandatesh sikurse në vitin 2016.

“Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka në parlament jo një, jo dy, por tri parti kundër-BE, që gjë për një vend kandidat për anëtarësim në BE, mund të krijojnë vetëm probleme”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, më 3 prill, Naim Leo Beshiri nga organizata joqeveritare Instituti për punë evropiane.

SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor me 'telashet ruse'

Parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë parti që kundërshtojnë hapur anëtarësimin e vendeve të tyre në Bashkimin Evropian.

Në Mal të Zi, Fronti Demokratik pro-serb është në linjën e kritikëve të Brukselit, por në mënyrë deklarative angazhohen në favor të anëtarësimit në BE.

Në Kuvendin e Kosovës, të gjitha partitë janë në favor të anëtarësimit në BE, përveç anëtarëve të Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe që nuk e njeh pavarësinë e këtij shteti. Ata kundërshtojnë pranimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.

Në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës, frenuesin më të madh për anëtarësim në BE e paraqet Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur të Millorad Dodikut, duke penguar punën e institucioneve.

Kuvendi i Maqedonisë ka dy deputetë nga partia opozitare “Levica” (E majta), e cila ka qëndrime kundër-perëndimore.

Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2013. Në Parlament nuk ka parti të hapura kundër-evropiane. Në mesin e të djathtëve janë partitë opozitare Most (Ura), e cila ka gjashtë deputetë, Lëvizja Atdheu me shtatë deputetë, si dhe Sovranistët Kroatë me katër deputetë.

Përgatiti: Bekim Bislimi