AP
Nuk është një valë e nxehtë e verës që po i bën udhëheqësit evropianë të djersiten. Është frika se manipulimi i Rusisë me furnizimet me gaz natyror do të çojë në një krizë ekonomike dhe politike, dimrin e ardhshëm. Ose, edhe më herët.
Çfarë ka ndodhur?
Javën e kaluar, Rusia ka reduktuar furnizimet me gaz në pesë vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, e cila është ekonomia më e madhe e bllokut 27-anëtarësh dhe varet shumë nga gazi rus.
Gjiganti energjetik shtetëror i Rusisë, Gazprom, ka zvogëluar për 60 për qind furnizimet përmes tubacionit Rrjedha Veriore 1, i cili kalon nën Detin Baltik, nga Rusia në Gjermani. Ky është tubacioni kryesor i gazit natyror në Evropë. Në Itali, furnizimet janë zvogëluar përgjysmë, ndërsa reduktime ka edhe në Austri, Republikën Çeke dhe Sllovaki.
SHIKONI EDHE: Rusia njofton për reduktimin e gazit, Gjermania e quan “përpjekje për të rritur çmimin”Në Poloni, Bullgari, Danimarkë, Finlandë, Francë dhe Holandë, Rusia ka ndërprerë plotësisht gazin, në javët e fundit. Kjo ndërprerje fillimisht është parë si më pak problematike, pasi Polonia, për shembull, ka qenë në proces të heqjes dorë nga gazi rus, ndërsa vendet e tjera kanë furnizime alternative.
Megjithatë, reduktimet e fundit i godasin vendet që janë ekonomi të mëdha dhe përdorin shumë gaz natyror të Rusisë.
Gjermania mbështetet te Rusia për 35% të importeve të saj të gazit, ndërsa Italia për 40%. Tani për tani, furnizimet me gaz janë të mjaftueshme për nevojat.
Pse reduktimet paraqesin shqetësim?
Evropa po përpiqet t’i mbushë depozitat e saj nëntokësore të gazit përpara dimrit.
Ndërmarrjet e gazit funksionojnë me një ritëm të rregullt, duke i mbushur rezervat gjatë verës - kur, me shpresë, mund të blejnë gaz më lirë - dhe më pas i zvogëlojnë ato gjatë dimrit, kur kërkesa për ngrohje rritet.
Rusia sanksionon degët evropiane të Gazprom në vendet që kanë vënë sanksione ndaj Moskës
Gjermania thotë se ka zvogëluar varësinë nga energjia ruse
Reduktimet e bëjnë magazinimin më të shtrenjtë dhe më të vështirë për t’u realizuar.
Reduktimet e fundit kanë rritur shqetësimet edhe për ndërprerjen e plotë të gazit rus - gjë që do ta bënte të pamundur për Evropën t’i plotësojë nevojat për dimër.
Gazi natyror përdoret nga disa industri, të tilla si prodhueset e qelqit dhe të çelikut, të cilat tashmë po përballen me kosto më të larta.
Për prodhimin e energjisë, gazi është një burim “i lëkundshëm”, që përdoret kur burimet e ripërtërishme, si era ose dielli, gjenerojnë më pak rrymë, për shkak të motit të paparashikueshëm, dhe kur përdorimi i energjisë elektrike arrin kulmin, për shkak të motit të ftohtë ose të nxehtë.
SHIKONI EDHE: Çfarë qëndron pas vendimit rus për t'i ndërprerë furnizimet me gaz?Tash për tash, depozitat nëntokësore të Evropës janë të mbushura 57%. Propozimi i fundit i Komisionit Evropian është që çdo vend të arrijë në 80% deri më 1 nëntor, ndërsa Gjermania ka vendosur objektivin prej 80% deri më 1 tetor dhe 90% deri më 1 nëntor.
Analistët në Institutin Bruegel në Bruksel paralajmërojnë se “Bullgaria, Hungaria dhe Rumania nuk do ta arrijnë objektivin e BE-së prej 80%, nëse vazhdojnë me shpejtësinë aktuale”, ndërsa “Gjermania, Austria dhe Sllovakia do ta kenë shumë të vështirë t’i mbushin objektet e tyre të magazinimit, nëse rrjedhjet e gazit nga Rusia ndërpriten”.
Çfarë është bërë?
Bashkimi Evropian, i cili, përpara se të niste lufta në Ukrainë, ka marrë rreth 40% të gazit nga Rusia, ka bërë plane për t’i zvogëluar importet për dy të tretat deri në fund të vitit dhe për të ndaluar plotësisht gazin rus deri në vitin 2027. Blloku ka vendosur tashmë që të bllokojë qymyrin rus, duke filluar nga gushti, dhe shumicën e naftës ruse brenda gjashtë muajsh.
Qëllimi është që Rusisë t’i zvogëlohet shuma prej 850 milionë dollarësh në ditë, që merr nga shitjet e naftës dhe gazit në Evropë.
SHIKONI EDHE: BE-ja premton 'përgjigje të koordinuar' ndaj ndalimit të gazit nga RusiaZvogëlimi i kësaj shume, pastaj, do të pengonte financimin e luftës së saj në Ukrainë.
Qeveritë dhe ndërmarrjet evropiane kanë blerë gaz të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara. Ky gaz, që shpërndahet me anije, është më i shtrenjtë, në krahasim me gazin që sigurohet nga Rusia, përmes tubacioneve.
Vendet, po ashtu, po bëjnë përpjekje që të sigurojnë më shumë gaz tubacioni nga Norvegjia dhe Azerbajxhani.
Gjermania, e cila nuk ka terminale për importin e gazit të lëngshëm natyror, është duke përgatitur katër terminale lundruese - dy prej të cilave duhet të funksionojnë këtë vit.
Pavarësisht përqendrimit në energjinë e ripërtërishme, kriza po i shtyn vendet që t’u kthehen karburanteve fosile. Gjermania po nxiton të miratojë legjislacionin për rikthimin e termocentraleve me qymyr - si një zgjidhje e përkohshme - pavarësisht planeve të saj për të dalë tërësisht nga qymyri deri në vitin 2030.
Zëvendëskancelari Robert Habeck ka thënë se është “një gjë e hidhur” rikthimi në qymyr, por se “në këtë situatë, është domosdoshmëri”. Habeck u ka kërkuar gjithashtu gjermanëve që të kursejnë energjinë.
“Përdorimi i gazit duhet të reduktohet më tej, në mënyrë që të magazinojmë më shumë. Përndryshe, në dimër, do të jetë vështirë”, ka thënë ai.
Qeveria e Holandës ka thënë se do të lejojë që termocentralet me qymyr të operojnë sërish me kapacitet të plotë, për të ruajtur gazin natyror që, në një situatë normale, do të digjej për të prodhuar energji elektrike.
Cila është loja e Rusisë?
Gazprom-i ka thënë se i është dashur t’i zvogëlojë rrjedhat e gazit përmes Rrjedhës Veriore 1 në Evropë, sepse sanksionet perëndimore ia kanë bllokuar një pjesë të pajisjeve për mirëmbajtje në Kanada.
SHIKONI EDHE: Gazprom ndërpren furnizimin me gaz për Poloninë dhe BullgarinëVeprimet e Gazprom-it i kanë rritur ndjeshëm çmimet e gazit natyror, pas rënies së tyre në fund të sezonit të dimrit. Rritja e çmimeve rrit edhe të ardhurat për Rusinë, në një kohë kur ajo është nën presionin e sanksioneve ekonomike perëndimore, ndërsa shton stresin mbi Evropën, e cila i jep Ukrainës mbështetje politike dhe ushtarake.
Lëvizjet e Gazprom-it gjithashtu mund të shihen si kundërveprim ndaj sanksioneve perëndimore dhe si një pengesë për vendosjen e dënimeve të tjera.
A do të mbeten evropianët pa rrymë dhe a do të mërdhijnë?
Kjo nuk ka gjasa, sepse ligji i BE-së i detyron qeveritë që t’i racionojnë furnizimet me gaz për industrinë, në mënyrë që shtëpitë, shkollat dhe spitalet të kursehen.
Vendet që kanë mungesë gazi gjithashtu mund të kërkojnë ndihmë nga të tjerat, që mund të jenë në gjendje më të mirë, megjithëse kjo varet nga lidhjet e tubacioneve.
Your browser doesn’t support HTML5
Por, ana negative e racionimit mund të nënkuptojë shkurtime apo mbyllje të industrive, të cilat mund të kushtojnë me vende pune.
Ndërprerja e plotë, po ashtu, mund t’i rrisë çmimet edhe më shumë.
Në fillim të vitit 2021, përpara se Rusia të grumbullonte trupa në kufi me Ukrainën, gazi ka kushtuar rreth 19 euro për megavat orë. Nga 7 marsi ka kaluar 200 euro.