Të premten, më 8 korrik, Rusia vuri veton ndaj një përpjekjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zgjatur për 12 muaj dhënien e ndihmës së OKB-së për rreth 4 milionë njerëz në Sirinë veriperëndimore, e cila kontrollohet nga opozita e autoriteteve në Damask.
Rezoluta ka nevojë për nëntë vota “për” që Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Britania apo Franca të mos vendin veto. Rezoluta e hartuar nga Irlanda dhe Norvegjia u mbështet nga 13 vende, ndërsa Kina abstenoi.
“Kjo është një çështje e jetës dhe vdekjes. Tragjike, njerëzit do të vdesin për shkak të këtij votimi dhe vendit që paturpësisht vuri veton ndaj saj”, tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.
Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh më pas votoi një propozim nga Rusia, aleate e Sirisë, për të autorizuar operacionin e OKB-së për gjashtë muaj dhe gjithashtu për të inkurajuar një përpjekje të gjerë ndërkombëtare për të rindërtuar Sirinë. Por, kjo nismë nuk u pranua pasi vetëm Rusia dhe Kina votuan “për”, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca votuan “kundër” dhe 10 anëtarët e mbetur të këshillit abstenuan.
“Kjo faqe e historisë më në fund është kthyer dhe nuk mund të kthehet pas”, tha tha zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky, pas votimit të dytë, duke shtuar se Moska do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Sirinë “duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.
Your browser doesn’t support HTML5
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca thanë se gjashtë muaj nuk ishin të mjaftueshëm që grupet e ndihmës të planifikojnë dhe të punojnë në mënyrë efektive.
Fuqitë perëndimore janë gjithashtu kundër financimit të një përpjekjeje të gjerë rindërtimi derisa të arrihet përparim drejt një zgjidhjeje politike në Siri, ku shtypja e presidentit Bashar al-Assad ndaj protestuesve pro-demokracisë në vitin 2011 çoi në luftë civile.
Mandati aktual për operacionin e ndihmës së OKB-së në Siri nga Turqia, skadon të dielën. Pritet që Këshilli prej 15 anëtarësh të vazhdojë negociatat, për të parë nëse mund të arrihet ende një marrëveshje.
“Nuk jemi të frikësuar nga kjo veto. Ky nuk është fundi i rrugës”, tha ambasadorja e Irlandës në OKB, Geraldine Byrne Nason, duke folur në emër të Irlandës dhe Norvegjisë.
Ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Yun, u bëri thirrje gjithashtu të gjithë anëtarëve të këshillit që të “mos dorëzohen” dhe të vazhdojnë negociatat. Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në OKB, Lana Nuseibeh propozoi një zgjatje të mundshme nëntëmujore “për të siguruar që nevojat e miliona sirianëve të përmbushen gjatë dimrit”.
Votimi i Këshillit të Sigurimit për të miratuar operacionin e ndihmës ka qenë një çështje e diskutueshme për vite me radhë.
Në vitin 2014, Këshilli i Sigurimit miratoi dërgimin e ndihmave humanitare, në zonat e Sirisw tw kontrolluara prej opozitës, nga Iraku, Jordania dhe nga dy vende në Turqi. Por, përdorimi i vetos nga Rusia dhe Kina e reduktoi atë në vetëm një vendkalim kufitar turk.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje Këshillit muajin e kaluar për të zgjatur miratimin për dërgimin e ndihmës nga Turqia në Sirinë veriperëndimore, duke thënë se “ne nuk mund të heqim dorë nga populli i Sirisë”.