Ushtria e Rusisë e kreu edhe një valë sulmesh raketore dhe me dronë nëpër Ukrainë, thanë zyrtarët ukrainas të dielën. Në shënjestër të sulmeve ishte infrastruktura energjetike e vendit, ndërsa u raportua edhe për ta plagosur nga sulme të tjera.
Shtatëmbëdhjetë njerëz u plagosën pasi ushtria ruse hodhi raketa balistike në Krivi Rih, në jug të rajonin Dnipropetrovsk. Tetë nga të plagosurit u shtruan në spital, tha Oleksandr Vilkul, kryetar i këshillit të mbrojtjes së Krivi Rih.
Pesëmbëdhjetë ndërtesa banimi, disa institucione arsimore dhe ndërtesa administrative, u dëmtuan në qytetin rreth 400 kilometra në juglindje të Kievit.
SHIKONI EDHE: Ukrainës po i shtohet trysnia në fushëbetejë e përtejNë qytetin lindor Harkiv, një distrikt u godit nga një raketë Grom-EI, raportoi RBK-Ukraine, duke cituar zyrën e prokurorit rajonal.
Rusia gjithashtu sulmoi një objekt energjie në rajonin verilindor të Sumit, tha operatori rajonal i energjisë Sumyoblenerho në Telegram.
“Si pasojë, më shumë se 37.000 konsumatorë në rajonin Romni (104 vendbanime) kanë mbetur përkohësisht pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftim.
Kievi po përgatitet për dimrin më të vështirë të luftës deri tani, pasi Moska ia ka shkatërruar pjesën më të madhe të kapacitetit prodhues të energjisë dhe vazhdon të godasë objektet energjetike.
Sulmet e tilla ndaj infrastrukturës civile konsiderohen krime lufte.
Sipas Ministrisë së Energjisë, Rusia ka kryer më shumë se 1.000 sulme në objektet e infrastrukturës energjetike të Ukrainës prej tetorit të vitit 2022.
Rreth 10 dronë u shkatërruan në afërsi të Kievit, tha administrata ushtarake e qytetit në Telegram. Nuk pati raportime për dëme apo lëndime, thuhet në njoftim.
Mbrojtja ajrore ukrainase shkatërroi 31 nga 49 dronë të nisur nga forcat ruse në sulmin e fundit gjatë natës në pjesë të ndryshme të Ukrainës, tha Forca Ajrore e Ukrainës më 20 tetor.