Rusia akuzon Ukrainën për granatime në centralin bërthamor

Një ushtar rus pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 8 gusht se Ukraina ka granatuar centralin bërthamor të Zaporizhjas më 7 gusht, duke dëmtuar linjat e tensionit të lartë dhe duke bërë që të reduktohet prodhimi në këtë central.

Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Në përditësimin ditor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina kreu granatime rreth orës 12:40 pranë pozicioneve në qytetin Marhanets.

Granatimet, siç pretendoi Rusia, dëmtuan linjat e tensionit të lartë që furnizojnë me energji rajonet e Zaporizhjas dhe Hersonit – që janë nën kontrollin rus – në jug të Ukrainës.

SHIKONI EDHE: Guterres kërkon qasje të inspektorëve ndërkombëtarë në centralin e Zaporizhjas

Sipas Moskës, këto grantime kanë ndërprerë furnizimet me energji.

Kievi ka mohuar se ka sulmuar centralin bërthamor. Kompania shtetërore ukrainase e energjisë bërthamore, Energoatom, tha të dielën se një punëtor u lëndua pasi forcat ruse granatuan centralin të shtunën mbrëma.

Këto raportime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavrur.

Rusia ka marrë kontrollin e Zaporizhjas në ditët e para të pushtimit të Ukrainës. Centrali, megjithatë, operohet nga stafi ukrainas.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se çdo sulm ndaj centralit më të madh në Evropë mund të cilësohet si “akt i vetëvrasjes”.