Rusia thotë se e zmbrapsi një sulm ukrainas me dronë në Krimenë e uzurpuar

Pamje të një zone pas një sulmi rus me raketë në Odesa, më 6 nëntor 2023.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se e ka zmbrapsur një sulm ukrainas me dronë në Gadishullin e uzurpuar nga Moska, Krimea, më 7 nëntor.

“Nëntë dronë u shkatërruan dhe tetë të tjerë u interceptuan pranë bregdetit të Krimesë në Detin e Zi”, tha Ministria ruse në një komunikatë për media.

Mikjail Razvozhayev, guvernatori i emëruar nga Rusia në Sevastopol, tha se pesë dronë u rrëzuan mbi këtë rajon.

Në Sevastopol është vendosur flota detare e Rusisë.

SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se Rusia i bombardoi caqet civile në qytetin e saj verilindor

Razvozhayev tha më vonë se një burrë u lëndua rëndë si pasojë e rënies së copëzave të dronëve të rrëzuar në fshatin Orlivka.

Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë në terren raportoi se shpërthime të ngjashme me ato të tingujve të shpërthimeve nga raketat e sistemeve të mbrojtjes ajrore mund të dëgjoheshin në mëngjes në qendër të Sevastopolit.

Pretendimet e Rusisë nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa Ukraina ende nuk ka komentuar rreth këtij sulmi të dyshuar, i cili raportohet të ketë ndodhur vetëm dy ditë pasi Kievi tha se forcat e tij i shkaktuan dëme “të mëdha” bartësit raketor rus në Krimea.

SHIKONI EDHE: Qytetet dhe fshatrat ukrainase përballen me një numër rekord sulmesh

Ushtria ukrainase e identifikoi anijen si Askold dhe tha se dëmet ndaj saj mund të jetë të pariparueshme.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ushtria e kishte goditur Askoldin në Krimea, të cilën Rusia e uzurpoi dhe e aneksoi jashtëligjshëm në vitin 2014, dhe të cilin Kievi synon ta çlirojë tani.

Ndërkohë, në fushëbetejë, forcat ukrainase i luftuan 78 beteja në 24 orët e fundit në linjën e frontit, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës në një raport ditor më 6 nëntor.

Pika kryesore e konfliktit mbetet qyteti industrial Avdivka, në rajonin lindor të Donjeckut, të cilin trupat ruse po vazhdojnë të tentojnë ta rrethojnë.