Zyrtari rus: Testimet bërthamore varen nga sjellja e SHBA-së

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov. Fotografi nga arkivi.

Rusia nuk do të kryejë testime bërthamore, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara përmbahen nga testime të tilla. Kështu tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Javën e kaluar, gazeta shtetërore ruse, Rossiyskaya Gazeta, publikoi një intervistë me Andrei Sinitsyn, kreun e uzinës bërthamore ruse në Novaja Zemlja, duke thënë se kjo uzinë është gati për testime në shkallë të plotë.

SHIKONI EDHE:

Putin: Perëndimi futet në luftë me Rusinë, nëse e lejon Kievin t’i përdorë armët me rreze të gjataMoska kërcënon me armë bërthamore nëse Ukrainës i lejohen sulmet thellë brenda Rusisë

Ryabkhov tha se përgatitjet në Novaja Zemlja janë ndërmarrë në përgjigje të veprimeve të ngjashme të ndërmarra nga SHBA-ja.

Së fundi, zyrtarët rusë kanë shpeshtuar kërcënimet se mund të përdorin armë bërthamore, nëse Perëndimi i lejon Ukrainës të përdorë armët perëndimore për të sulmuar thellë brenda territorit rus.

Po ashtu, javën e kaluar, MPJ-ja ruse paralajmëroi Ukrainën – me të cilën zhvillon luftë që nga viti 2022 – dhe SHBA-në se nëse e provokojnë Bjellorusinë, do të përballen me “pasoja katastrofike”.

SHIKONI EDHE: Rusia paralajmëron “pasoja katastrofike” nëse Perëndimi dhe Ukraina “provokojnë” Bjellorusinë

Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, Moska ka zhvendosur në Bjellorusi armë bërthamore taktike – zhvendosja e parë e armëve të tilla jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.