Rusia ka kryer testet e fundit të raketave balistike hipersonike, raketave lundruese dhe raketave me kapacitete bërthamore, si pjesë e stërvitjeve “të planifikuara”, tha Kremlini më 19 shkurt.
Këto stërvitje po mbahen në kohën e rritjes së tensioneve mbi Ukrainën.
Mediat ruse kanë cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov të ketë thënë se presidenti Vladimir Putin dhe lideri bjellorus Aleksandar Lukashenka, kanë shikuar stërvitjet nga Kremlini. Peskov tha se stërvitjet janë pjesë e procesit të rregullt të trajnimeve.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në stërvitje morën pjesë pothuajse të gjitha degët e forcave të armatosura ruse, përfshirë edhe forcat ajrore dhe të raketave strategjike, por edhe flotat në Detin e Zi dhe atë Verior, që kanë nëndetëse me armë bërthamore.
Stërvitjet u mbajtën disa orë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se tani janë të bindura se Moska po planifikon që “brenda ditësh” ta pushtojë Ukrainën.
SHIKONI EDHE: SHBA beson se Putin “ka vendosur të pushtojë” UkrainënRusia thotë se nuk ka plane që ta sulmojë Ukrainën. Por, Uashingtoni insiston se me grumbullimin e mbi 150,000 trupave ruse në kufijtë e Ukrainës – dhe në total 190,000 trupa nëse llogariten edhe forcat separatiste në lindje të Ukrainës që mbështeten nga Rusia – Moska ka vendosur që ta pushtojë Ukrainën.