Rusia të mërkurën (16 shkurt) tha se stërvitjet ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska kanë përfunduar dhe se ushtarët po ktheheshin në garnizonet e tyre, një ditë pasi njoftoi tërheqjen e parë të trupave nga kufijtë e Ukrainës.
“Njësitë e Qarkut Ushtarak Jugor, pasi kanë përfunduar pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet taktike, po lëvizin në pikat e tyre të përhershme të vendosjes”, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Moskës.
Televizioni shtetëror tregoi imazhe të njësive ushtarake që kalonin një urë që lidh gadishullin e kontrolluar nga Rusia me Rusinë.
Në deklaratë thuhej se tanket, automjetet e këmbësorisë dhe artileria po largoheshin nga Krimea me hekurudhë.
Kjo vjen një ditë pasi Moska tha se po tërhiqte disa nga trupat e dislokuara në kufijtë e fqinjit të saj.
Por liderët perëndimorë mbeten të shqetësuar se Rusia mund të nisë ende një sulm ndaj Ukrainës, me presidentin amerikan, Joe Biden paralajmëruar të martën se një sulm nga Moska mbetet “një mundësi reale".
Biden tha se pavarësisht pretendimeve ruse më herët gjatë ditës, Uashingtoni dhe aleatët e tij ende nuk kanë verifikuar tërheqjen e ndonjë prej dhjetëra mijëra trupave që ai thotë se Moska tani ka mbledhur përgjatë kufirit të Ukrainës.
Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.
SHIKONI EDHE: Biden thotë se sulmi rus ndaj Ukrainës është ende i mundshëm