Rusia sulmoi të mërkurën infrastrukturën e portit Odesa në Ukrainë, bëri të ditur Forca Ajrore e Ukrainës.
Komandanti Mykola Oleschuk tha se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan tri nga pesë raketat e lëshuara nga Rusia, si dhe 14 nga 20 dronët e lëshuar prej saj.
Sipas tij, shënjestra të tyre ishin disa rajone: Odesa, Mikollajivi, Hersoni, Vinicja e të tjera.
“Infrastruktura e portit të Odesës është sulmuar me raketa. Si rezultat i kundërmasave aktive, tri raketa të armikut Kh-59/Kh-69 dhe tre dronë UAV nuk i kanë arritur objektivat e tyre”, tha Oleschuk në mesazhin në Telegram.
Më shumë detaje për pasojat nuk dha.
Odesa, një port i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës, ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve të ushtrisë ruse.
Pavarësisht provave, Moska mohon se godet infrastrukturën civile të Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Rusia thotë se u sulmua me dhjetëra dronë nga UkrainaNë fillim të kësaj jave, autoritetet në Ukrainë raportuan për së paku 37 njerëz të vrarë nga sulmet ruse në disa rajone të vendit.
Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë në Kiev, ku mbetën të vrarë dy punonjës.
SHIKONI EDHE: Biden dënon “brutalitetin rus” në Ukrainë