Forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë me zjarr artilerie pozicionet ukrainase përgjatë vijës së kontaktit në lindje, teksa sulmet janë përqendruar në Bahmut dhe Avdijivka në Donjeck. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase në këto dy qytete po zhvillohen luftimet më të ashpra në muajt e fundit.
Rusia sërish ka sulmuar objektivat civile në rajonin jugor dhe në qytetin e Hersonit dhe ka granatuar në Dnipropetrovsk, tha ushtria dhe zyrtarët rajonalë.
“Armiku po vazhdon ofensivën në drejtim të Bahmutit dhe Avdijivkës [në Donjeck] dhe ka tentuar që të përmirësojë pozicionin e tij taktik në drejtim të Limanit [në Luhansk]”, tha Shtabi i Përgjithshëm më 28 dhjetor.
Trupat ruse kanë kryer 33 sulme me artileri dhe një sulm ajror ndaj pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe civilëve në Herson gjatë 24 orëve të fundit, u tha në njoftim.
SHIKONI EDHE: Sulme të reja ruse në lindje të UkrainësRusia sërish ka granatuar qarkun e Nikopolit në rajonin e Dnipropetrovskit gjatë natës, tha kreu i administratës rajonale ushtarake, Valentyn Reznichenko.
Reznichenko tha se shtëpitë e civilëve janë shkatërruar dhe një panel solar në këtë rajon, që ka nevojë për energji elektrike.
Rusia për muaj të tërë ka sulmuar me dronë infrastrukturën e energjisë së Ukrainës, duke lënë miliona ukrainas në errësirë dhe në të ftohtë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin në orët e vona të 27 dhjetorit tha se situata në Donbas – që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut – ishte e “vështirë dhe e dhimbshme”.
Ai tha se kjo javë do të jetë “e rëndësishme për Ukrainën nga aspekti politik” dhe se një plan veprimi po diskutohet për ushtrinë ukrainase për vitin e ardhshëm dhe për situatën në qytetet e Kreminës dhe Bahmutit, që gjenden në Luhansk dhe Donjeck.
Njoftimi i Zelenskyt u bë në kohën kur një ekspert ushtarak britanik i tha BBC-së se forcat ukrainase janë pranë një përparimi të madh përreth Kreminës dhe Svatovit në Luhansk. Një përparim i tillë mund të shtyjë prapa trupat ruse për rreth 65 kilometra “afër vendit ku pushtimi i tyre nisi në shkurt”, tha Michael Clark.
Ushtria ruse tha se ka shkaktuar humbje të rëndësishme ndaj ushtarëve ukrainas gjatë luftimeve me artileri në pozicionet në vijën e fronit, nga Hersoni deri në Harkiv.
Moska pretendoi se ka vrarë afër 60 ushtarë ukrainas gjatë luftimeve në Donjeck, në lindje të Ukrainës, raportoi TASS, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë. Në rajonin e Luhanskut afër 30 ushtarë ukrainas janë vrarë gjatë sulmeve me artileri, tha ministria ruse.
Raportimet për suksese në fushëbetejë nga ana ruse nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.