"Kështu duket çmenduria": Rusia intensifikon sulmet ndaj Bahmutit
Ushtarët ukrainas pranë Bahmutit gjuajnë me mortaja drejt pozicioneve ruse më 11 janar.
Sipas zyrtarëve ukrainas, perëndimorë dhe rusë, sulmet ndaj Bahmutit po udhëhiqen nga ushtarë të kompanisë famëkeqe private ushtarake ruse, Vagner. Disa raportime tregojnë për sulme të këmbësorisë të ngjashme me ato të Luftës së Parë Botërore.
Ushtari ukrainas duke pirë cigare në pozicionin e tij pranë Bahmutit.
I vendosur përgjatë dy udhëkryqeve kryesore, nga Bahmuti janë larguar pothuajse të gjithë 70.000 banorët e tij, ndërkaq ndërtesat dhe shtëpitë e qytetit janë shkatërruar gati të gjitha.
Tanket ukrainase duke shkuar drejt vijës së frontit në rajonin e Donjeckut.
Trupat ukrainase po mbrojnë pjesët veriore, lindore dhe jugore të Bahmutit kundër forcave ruse, të cilët po sulmojnë ashpër për të marrë në kontroll territorin që disa analistë thonë se nuk ka vlerë strategjike ushtarake.
Ashpërsia e sulmeve mund të shihet në këtë pamje satelitore të shpërndarë më 11 janar, që tregon terrenin e shkatërruar në lindje të Bahmutit.
"Gjithçka është shkatërruar plotësisht. Nuk ka mbetur gati asnjë jetë", tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në fillim të kësaj jave, për gjendjen në Bahmut dhe në qytetin e afërt të Soledarit, një tjetër objektiv i sulmeve të Moskës.
“E gjithë toka afër Soledarit është e mbuluar me kufomat e pushtuesve dhe me dëmtime nga sulmet”, tha Zelensky. "Kështu duket çmenduria".
Edhe komandantët ukrainas thonë se obsesioni i Rusisë me Bahmutin është i habitshëm.
"Ushtarakisht, Bahmuti nuk ka asnjë rëndësi strategjike", tha së voni Oleksandr Syrskiy, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës.
Ushtarët ukrainas gjatë patrullimit në Bahmut më 12 janar.
"Por, ai ka një rëndësi psikologjike", tha Syrskiy, për shkak të një sërë humbjesh të mëparshme në fushëbetejë të shkaktuara nga trupat ukrainase në rajonin veriperëndimor të Harkivit dhe në rajonin jugor të Hersonit.
Marrja e qytetit në kontroll "do të ishte simbolike për armikun," tha Syrskiy. "Prandaj, [Rusia] po përpiqet në çdo mënyrë të marrë kontrollin e këtij qyteti."
Ushtarët ukrainas gjatë patrullimit pranë Bahmutit.
Bahmuti ndodhet rreth 700 kilometra në lindje të Kievit dhe rreth 80 kilometra në veri të kryeqytetit rajonal, Donjeckut. Ai ishte ndër vendet ku u zhvilluan luftimet e para në vitin 2014, kur Rusia nxiti për herë të parë një kryengritje të armatosur të fshehtë për të marrë kontrollin e një pjese të Donbasit.
Një ushtar ukrainas duke gatuar në një vendstrehim në Bahmut.
I njohur atëherë si Artemivsk, qyteti u rimor nga luftëtarët e mbështetur nga Rusia në korrikun e vitit 2014 nga forcat e qeverisë ukrainase. Ai u riemërua Bahmut në vitin 2016, dhe është rindërtuar në masë të madhe që atëherë, duke shërbyer si një vend i rëndësishëm tregtar dhe qendër lidhëse për njerëzit që vinin dhe shkonin nga pjesët e Donbasit që kontrolloheshin nga formacionet e mbështetura nga Rusia.
Një infermier ushtarak duke pritur brenda automjetit të tij në Bahmut.
Qyteti është kërcënuar në mënyrë indirekte gjatë disa muajve, veçanërisht pasi forcat ruse në fillim të korrikut i zmbrapsën trupat ukrainase nga qytetet binjake të Severodonjeckut dhe Lisiçanskut, 60 kilometra në verilindje. Autostrada që të çonte nga Bahmuti ishte një rrugë kyç furnizimi për trupat ukrainase.
Një banore duke ecur pranë një ndërtese të shkatërruar në Bahmut.
Themeluesi dhe pronari i grupit Vagner, biznesmeni Yevgeny Prigozhin, sinjalizoi muajin e kaluar se Bahmuti ishte një prioritet strategjik, megjithëse ai sugjeroi gjithashtu se shkatërrimi i trupave ukrainase ishte, po ashtu, një objektiv i tyre.
Periferia e Bahmutit duke u djegur, pas një sulmi rus më 27 dhjetor.
"Qëllimi ynë nuk është vetë Bahmuti, por shkatërrimi i ushtrisë ukrainase dhe zvogëlimi i potencialit të saj luftarak, prandaj ky operacion u quajt 'Kasaphana e Bahmutit'", citohet të ketë thënë Prigozhin në një deklaratë të shpërndarë në një prej kanaleve të tij në platformën e komunikimeve Telegram dhe në llogarinë e tij në rrjetin social VK.