Rusia sulmon me raketa Odesën dhe Mikolajivin

Zjarrfikësit duke fikur zjarrin në një ndërtese banimi trekatëshe të goditur nga një raketë ruse në Mikolajiv, në jug të Ukrainës, më 20 korrik.

I vendosur pranë Detit të Zi, Mikolajivi ishte një nga disa qytetet e shënjestruar nga sulmet me raketa më 20 korrik,  që vranë një person dhe plagosën të paktën 20 të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, thanë zyrtarët ukrainas.

Ndihmësit e mjekëve bartin një grua që u plagos gjatë sulmit me raketa ruse në Mikolajiv.

"Rusët goditën qendrën e qytetit. Një garazh dhe një ndërtesë banimi trekatëshe mori flakë.... Gjithsej 18 persona u plagosën. Nëntë prej tyre u shtruan në spital, duke përfshirë pesë fëmijë, ndërsa dy persona u shpëtuan nga rrënojat. Është një mrekulli që arritëm t'i shpëtojmë", tha guvernatori rajonal, Vitaliy Kim.

 

Zjarrfikësit duke punuar gjatë orëve të para të 20 korrikut për të shuar zjarrin në ndërtesën e banimit në Mikolajiv.

Ekipet e shpëtimit gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit nëpër rrënojat e djegura të ndërtesës së banimit në Mikolajiv.

Rusia ka shtuar sulmet me raketa dhe dron në portet e Detit të Zi të Ukrainës dhe zonat përreth që kur u tërhoq nga një marrëveshje njëvjeçare e ndërmjetësuar nga OKB-ja më 17 korrik, e cila lejonte kalimin e sigurt të dërgesave të grurit ukrainas.

Një grua duke pastruar copat e xhamit të thyer nga një dritare që u dëmtua gjatë sulmit në Mikolajiv.
 

Odesa ishte gjithashtu në shënjestër e sulmeve më 20 korrik pasi një raketë ruse dëmtoi rëndë një ndërtesë administrative. Ishte nata e tretë radhazi e sulmeve ajrore të qytetit port që për objektiv kishin instalimet, objektet e depozitimit të grurit dhe infrastrukturën civile.

Banorët duke qarë pranë vendit ku është djegur ndërtesa administrative. Kryetari i bashkisë së Odesës, Hennadiy Trukhanov, e përshkroi sulmin si "një nga netët më të këqija ndonjëherë", duke shtuar se një person u plagos.

Një grua duke qarë pranë trupit të djalit të saj afër një ndërtese të dëmtuar rëndë nga një sulm rus me raketa në Odesa.

Njerëzit shikojnë teksa ekipet ukrainase të shpëtimit vazhdojnë punën në rrënojat e një ndërtese administrative të shkatërruar në qendër të Odesës.

Policia e Odesës mblodhi copat nga një raketë ruse që shkatërroi ndërtesën administrative të qytetit.

Të paktën një person u vra dhe 20 të tjerë u plagosën pasi Moska sulmoi nga ajri më 20 korrik, duke synuar qytetet-port të Detit të Zi, Odesa dhe Mikolajiv. Kjo ishte nata e tretë radhazi e sulmeve ajrore që për objektiv kishin Odesën. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)