Luftime të ashpra po zhvillohen në lindje të Ukrainës, teksa qyteti-port i Odesës u godit nga sulme ajrore ruse dhe Moska rinisi sulmin ndaj fabrikës së çelikut në Mariupol, ku mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë rezistencën.
Ndërkaq, në orët e para të së martës është raportuar se janë dëgjuar sirena për sulme ajrore edhe në rajonet e tjera lindore ukrainase përfshirë Luhanskun, Harkivin dhe Dnipron.
Forcat e armatosura të Ukrainës njoftuan se në Odesa është vrarë të paktën një person dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi shtatë raketa goditën një qendër tregtare dhe një depo.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes tha se forcat ruse, të mbështetura nga tanke dhe artileri, po kryejnë “operacione sulmuese” në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, në të cilën gjenden qindra ushtarë ukrainas, që janë përballur me rrethim për muaj. Ndërkaq, civilët para disa ditësh janë evakuuar.
Rusët po tentojnë që ta shkatërrojnë një urë të përdorur për evakuime, në mënyrë që mbrojtësit ukrainas të bllokohen brenda, tha këshilltari i kryetarit të Mariupolit, Petro Andryuschenko.
“Mariupoli është pjesa më e vështirë e rajonit tonë”, tha Pavlo Kyrylenko, guvernator i rajonit të Donjeckut, ku gjendet edhe Mariupoli.
Your browser doesn’t support HTML5
Mariupoli gjendet në mes të Gadishullit të Krimesë – që Moska e aneksoi më 2014 – dhe pjesëve lindore të Ukrainës, që janë në nën kontrollin e separatistëve pro-rusë. Marrja e kontrollit të këtij qyteti do t’i mundësonte Moskës që të krijonte një korridor tokësore mes këtyre dy zonave.
Zyrtarët në Mariupol thanë se pavarësisht evakuimeve të fundit nga Azovstali, në qytetin e Mariupolit ende ka civilë.
Sulmet ajrore në Odesa, në qytet-port në Detin e Zi, erdhën në të njëjtën ditë kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin mbajti fjalim për Ditën e Fitores apo në përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në atë fjalim ai nuk foli për planet për ndonjë përshkallëzim në Ukrainë, por forcat e tij vazhduan luftimet dhe ofensivën në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.
“Ne po luftojmë për mëmëdheun, për të ardhmen e tij, në mënyrë që askush të mos i harrojë mësimet e nxjerra nga Lufta e Dytë Botërore. Në mënyrë që në këtë botë mos të ketë vend për xhelatë dhe nazistë”, tha Putin.
SHIKONI EDHE: Fjalimi i Putinit: Rëndësia e asaj që nuk u thaNdërkaq, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një fjalimi të hënën tha se ukrainasit do të triumfojnë.
“Në Ditën e Fitores kundër nazizmit, ne po luftojmë për një fitore të re. Rruga është e vështirë, por ne nuk kemi asnjë dyshim se do të fitojmë”, tha Zelensky.
Që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, mbi 5.5 milionë ukrainas janë larguar nga shteti, thuhet në të dhënat e Kombeve të Bashkuara.
Moska ka bërë përparime të pakta në pushtim, duke marrë nën kontroll një pjesë të vogël të territorit në jug, ndërkaq ka bërë disa përparime në lindje të Ukrainës.