Rusia do të kryejë stërvitje me armë taktike bërthamore

Sistemi raketor taktik, Iskander, i aftë për të nisur raketa me majë bërthamore.

Rusia - e zemëruar nga ato që i cilëson si “deklarata provokuese” nga Perëndimi - tha se planifikon të kryejë stërvitje ushtarake, për të vlerësuar gatishmërinë e saj për të përdorur armë taktike bërthamore.

Që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin ranë në nivelin më të ulët të mundshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Kjo, pasi aleatët perëndimorë të Ukrainës mbështetën luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse, duke e ndihmuar me armatim dhe logjistikë.

Kjo është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shpall publikisht stërvitje, të cilat përfshijnë armë bërthamore taktike.

SHIKONI EDHE: Armët e SHBA-së po vijnë në Ukrainë, por forcat ruse kanë marrë vrull

Njoftimi erdhi pasi Britania dhe Franca bënë disa deklarata që dukej se tregonin përfshirjen më të madhe të tyre në konfliktin më shumë se 2-vjeçar.

“Për të rritur gatishmërinë e forcave bërthamore jostrategjike, me qëllim kryerjen e misioneve luftarake, Shtabi i Përgjithshëm ka filluar përgatitjet për mbajtjen e stërvitjeve në një të ardhme të afërt”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë përmes një deklarate të shpërndarë në aplikacionin Telegram.

“Gjatë stërvitjes do të kryhen një sërë aktivitetesh për të praktikuar përgatitjen dhe përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike”, thuhet në deklaratë.

Aty theksohet, po ashtu, se stërvitja është urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin.

Roli i armëve bërthamore strategjike është t’i godasin objektivat e armikut larg vijës së frontit, ndërsa armët bërthamore taktike janë krijuar për t’u përdorur në fushat e betejës.

Rusia ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.

SHIKONI EDHE: Lukashenka: Në Bjellorusi janë dislokuar dhjetëra armë bërthamore ruse

Stërvitja ka për qëllim t’i rrisë aftësitë e ushtrisë ruse “për të siguruar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit rus”, në përgjigje të “deklaratave provokuese dhe të kërcënimeve të zyrtarëve perëndimorë ndaj Federatës Ruse”, thuhet në deklaratë, pa u dhënë detaje të tjera.

Javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përsëriti deklaratën se vendi i tij nuk mund ta përjashtojë dërgimin e trupave në Ukrainë, për ta ndihmuar atë në luftë.

SHIKONI EDHE: Macroni përsëri s’e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë

Zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, u duk se i dhanë Kievit dritën jeshile për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi - të dërguara në Ukrainë - për të goditur objektiva brenda Rusisë.

Deri më tani në konflikt, Britania e Madhe i ka dhënë udhëzime Ukrainës, duke i sugjeruar që armët me rreze të gjatë të përdoren vetëm brenda territorit sovran të Ukrainës.

Në fundjavë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se “NATO-ja po përgatitet për një konflikt të mundshëm” me Rusinë dhe përmendi stërvitjet e aleancës ushtarake Steadfast Defender si “dëshmi” për këtë.

Këto stërvitje që do të vazhdojnë edhe këtë muaj, përfshijnë mbi 90.000 trupa të NATO-s.

NATO-ja ka thënë se, gjatë tyre, do të praktikohet se si trupat amerikane mund t’i përforcojnë aleatët evropianë në shtetet që janë në kufi me Rusinë dhe në krahun lindor të aleancës, në rast të ndonjë konflikti.

Përgatiti: Valona Tela