Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nisi fjalimin e tij për Ditën e Fitores, duke u thënë luftëtarëve rusë në Ukrainë se "po luftojnë për sigurinë e Rusisë".
Ai tha se aleanca ushtarake e NATO-s, ku Ukraina ka shprehur ambicie për t'u anëtarësuar, është "kërcënim i dukshëm" për Rusinë.
"Operacioni special ushtarak" i Rusisë në Ukrainë - siç e cilëson Putin pushtimin e fqinjit - ka qenë një "veprim i nevojshëm" dhe "në kohë", tha udhëheqësi rus.
"Në Kiev kanë thënë se mund të sigurojnë armë bërthamore dhe NATO-ja ka filluar t'i eksplorojë tokat afër nesh. Kjo është bërë një kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka ka treguar se ekziston nevoja për të luftuar", tha Putin, pa sjellë ndonjë provë për pretendimet e tij.
Ai shtoi se Rusia "i ka kërkuar Evropës që të gjejë një kompromis të drejtë, por ajo nuk ka dashur të dëgjojë".
Putin tha se vrasja e çdo ushtari dhe oficeri rus "është e dhimbshme" dhe theksoi se shteti rus "do të bëjë gjithçka për t'u kujdesur për familjet e tyre".
"Ju po luftoni për atdheun tuaj, për të ardhmen e tij", u tha Putin ushtarëve rusë që po luftojnë në lindje të Ukrainës.
Rusia shënon sot Ditën e Fitores, apo atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste në vitin 1945.
Trupa, tanke, raketa u shfaqën në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në qytete të tjera të vendit.
Nën presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ditë është shndërruar në një shfaqje të fuqisë së ushtrisë ruse, si dhe në rast për të kujtuar sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.
Rreth 27 milionë qytetarë sovjetikë janë vrarë në atë që rusët e quajnë Luftë të Madhe Patriotike.
SHIKONI EDHE: Lavrov: Rusia nuk synon të përfundojë luftën më 9 MajKremlini tha se parada ushtarake është zhvilluar në 28 qytete të Rusisë, ku kanë marrë pjesë 65,000 njerëz, 2,400 pajisje ushtarake dhe më shumë se 400 avionë.
Megjithatë, këtë vit, ngjarja u zhvillua nën hijen e luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.
Mijëra njerëz janë vrarë në luftë, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.
SHIKONI EDHE: Pse “Dita e Fitores” në Rusi është ndryshe këtë vit?Rusia i referohet pushtimit si “operacion i posaçëm ushtarak”, duke refuzuar ta quajë luftë.
Ka pasur spekulime se Putin mund ta shfrytëzonte rastin e sotëm për të bërë një njoftim të madh në lidhje me pushtimin.
Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se ai mund të shpallë luftë të shkallës së plotë në Ukrainë, por Kremlini e ka mohuar një gjë të tillë.
SHIKONI EDHE: Rusia mohon mundësinë e shpalljes së mobilizimit të përgjithshëmNë prag të kësaj dite, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia “ka harruar gjithçka që ka qenë e rëndësishme për fituesit e Luftës së Dytë Botërore”.
Ai tha se e gjithë bota e lirë mund ta shohë se Ukraina është “pala e së mirës në këtë luftë” dhe shtoi se Rusia “do të humbasë, sepse e keqja humbet gjithmonë”.
Udhëheqësit perëndimorë e shfrytëzuan gjithashtu Ditën e Fitores për të dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili vizitoi Ukrainën, tha se Putin “po shkon kundër vlerave, për të cilat aq shumë njerëz kanë luftuar dhe janë vrarë”.
Udhëheqësit e grupit të vendeve më të industrializuara, të njohur si G7, thanë se veprimet e Putinit sollën “turp për Rusinë dhe sakrificat historike të popullit të saj”.
Your browser doesn’t support HTML5