Rusia pretendon se ka rrëzuar mbi 100 dronë të Ukrainës

Dy ushtarë ukrainas duke operuar një dron pranë vijës së frontit në rajonin e Zaporizhjës. 2 shkurt 2024.

Rusia ka neutralizuar 114 dronë të lëshuar nga Ukraina gjatë natës, teksa të paktën një person është vrarë gjatë sulmeve, thanë zyrtarët më 21 qershor.

“Sistemi rus i mbrojtjes ajrore ka detektuar dhe shkatërruar 70 dronë mbi Krime dhe në Detin e Zi, 34 dronë mbi rajonin e Krasnodarit dhe një dron mbi Volgograd”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate.

Në Krasnodar një punonjës i një stacioni të ngrohjes u vra kur një dron goditi ndërtesën pranë stacionit të trenit në Juzhni, tha përmes një postimi në Telegram guvernatori i këtij rajoni, Venyamin Kondartyev.

SHIKONI EDHE: Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

Ukraina, që po përballet me pushtimin që Rusia nisi ndaj saj më shumë se dy vjet më parë, muajt e fundit ka intensifikuar sulmet në territorin rus, duke shënjestruar ndërtesa të energjisë.

Sulmet ruse me raketa dhe dronë që kanë goditur ndërtesat e energjisë të Ukrainës kanë dëmtuar kapacitetin për gjenerimin e energjisë nga shteti dhe kanë bërë që të ketë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Këto sulme po ashtu kanë detyruar Kievin që të importojë energji elektrike nga Bashkimi Evropian.