Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të luftojnë kundër shtetit të tyre?

Fotografi ilustruese.

Rusia po e përdorë një organizatë rinore ushtarake, Yunarmia, për të strehuar adoleshentët besnikë në territoret e pushtuara të Ukrainës dhe për t’i përgatitur ata për të luftuar në luftën e Moskës kundër vendlindjes së tyre.

Zhvillimi i Yunarmias mes pushtimit në shkallë të plotë dëshmohet edhe nga dokumente të papublikuara më parë nga autoritetet pushtuese ruse, të cilat janë marrë në posedim nga grupi i hakerëve ukrainas, KibOrg, grup që ia ka dhënë këto dokumente, njësisë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat, dhe partnerëve të tij medial.

Yunarmia, apo Ushtria Rinore, u krijua më 2016 me iniciativën e ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kjo organizatë thotë se ka 1.3 milion anëtarë. Fëmijët, nga mosha 8-vjeçare, mund t’i bashkohen kësaj organizate përmes plotësimit të një pyetësori në një aplikacion në telefon.

Organizata pretendon se lehtëson zhvillimin shpirtëror, moral, shoqëror dhe intelektual të të ashtuquajturve kadetë të Yunarmias. Po ashtu thotë se “formon një motivim pozitiv për t’i përmbushur detyrat kushtetuese dhe përgatit djemtë e rinj për shërbim në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, takohet me anëtarët e organizatës Yunarmia, në shtator të vitit 2019.

Më 2017, kadetët e Yunarmias marshuan së bashku me ushtarët në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, ceremoni e cila u udhëhoq nga presidenti rus, Vladimir Putin. Këtë vit, fëmijët e organizatës Yunarmia nga rajoni Luhansk, i pushtuar nga Rusia, morën pjesë në festimet ushtarake në qytetin rus, Novosibirsk.

SHIKONI EDHE: Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë, “të përfshirë në dëbimin e fëmijëve ukrainas”

Rusia ka hapur degën e parë të Yunarmias në territoret e pushtuara të Ukrainës në Krime, disa muaj pas formimit zyrtar të organizatës. Deri në shtator të vitit 2016, Yunarmia ishte përhapur në mbarë gadishullin e Detit të Zi, sipas Oleh Okhredkos, analist në Qendrën e Edukimit Qytetar, Almenda. Kjo qendër përbëhet nga një grup ukrainasish, që dokumenton shkeljet e të drejtave të fëmijëve në kohë lufte.

Më 2014, Rusia pushtoi Krimenë dhe mbështeti luftën në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, që njihen edhe si Donbas.

Yunarmia “u krijua me ide specifike të riedukimit ushtarak jo vetëm për [fëmijët] rusë, por edhe për fëmijët ukrainas nga territoret e pushtuara”, tha Kateryna Rashevska, avokate nga Qendra rajonale për të Drejtat e Njeriut, qendër që është detyruar të zhvendoset nga Krimeja në Kiev, pas pushtimit rus.

Deri në janar të vitit 2022, një muaj para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Yunarmia kishte 29.000 anëtarë vetëm në Krime, sipas të dhënave të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Autoritetet ligjzbatuese të Ukrainës e kanë akuzuar udhëheqjen e organizatës Yunarmia në Krimenë e pushtuar për shkelje të mbrojtjes së civilëve, që garantohet me Konventën e Gjenevës, duke cituar një nen të konventës që ndalon “propagandën që synon regjistrimin vullnetar të civilëve”.

Dy djem nga Yunarmia me armë në duar në një ngjarje në Sevastopol, në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia, në gushtin e vitit 2019.

Iryna Sedova, eksperte e Grupit për të Drejtat e Njeriut në Krime, mbështet akuzën e bërë nga shteti.

“Ne konsiderojmë se aktivitetet e kësaj organizate shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe udhëheqësit e kësaj organizate po kryejnë krime lufte kundër banorëve të Krimesë, në veçanti, ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që po zombifikohen dhe de facto i përfshijnë në mënyrë të pavullnetshme në Yunarmia”, deklaroi ajo për Radion Evropa e Lirë më 2022.

Si përgjigje ndaj këtyre akuzave, kreu i degës së Yunarmias në Sevastopol, Volodymyr Kovalenko, tha se Qeverinë aktuale të Ukrainës e konsideron jolegjitime dhe mohoi se ka kryer ndonjë krim.

Megjithatë, që nga pushtimi disa ish-anëtarë të Yunarmias nga zonat e pushtuara i janë bashkuar ushtrisë ruse për të luftuar kundër Ukrainës.

Në mesin e tyre: Illya Zozulskiy, 23 vjeç, nga fshati Poltavka i Krimesë, i cili është një artiljer i dekoruar me medaljen prestigjioze Zhukov, sipas mediave ruse. Media ruse, Mash, raportoi në janar të vitit 2023 se ai ishte një nga 50 “mentorët” nga Yunarmia, që po luftonin.

Zozulskiy nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë dhe partnerët e saj medial.

Më 19 nëntor, Britania njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj Yunarmias, duke e cilësuar atë si “organizatë paramilitare ruse, qendrore për përpjekjet e Putinit që me forcë të dëbojë apo indoktrinojë gjeneratën e re të Ukrainës”. Britania tha se organizata “është e përfshirë në përpjekjen sistematike të Rusisë për të fshirë identitetin kulturor dhe kombëtar ukrainas”.

Njoftimi për sanksione ndodhi mes raportimeve se ushtria ruse për herë të parë ka rekrutuar banorë nga pjesët e pushtuara të Ukrainës.

Yunarmia nisi të operonte në Donbas vetëm pasi Putini, pa ofruar prova, pretendoi në shtator të vitit 2022 se rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, së bashku me atë të Zaporizhjas dhe Hersonit ishin pjesë e Rusisë. Që nga viti 2019, një grup i ngjashëm i quajtur Garda e Re – Yunarmia, ka operuar në Donbas.

SHIKONI EDHE: Si mbijetuan dhjetëra jetimë ukrainas nën pushtimin rus?

Më 2023, “shtëpitë” e Yunarmias – ambiente shkollore të përshtatura për qitje me armë dhe trajnime sportive – u hapën në pjesët e pushtuara të Donjeckut dhe Luhanskut. Sipas dokumenteve të ofruara nga KibOrg, Yunarmia përdor ndërtesa shkollore pa paguar para, dhe merr ndihmë financiare dhe ndihmë tjetër nga Qeveria federale ruse dhe nga selia e Yunarmias në Moskë.

Skemat pranuan dhjetëra dokumente shkollore nga KibOrg të fëmijëve që jetojnë në zonat e pushtuara. Shumica e fëmijëve ishin të listuar se ishin anëtarë të Yunarmias ose që merrnin pjesë në aktivitetet e kësaj organizate.

Një shembull është një nxënës i klasës së tetë që vjen nga një prej qytetet që është nën pushtimin rus në rajonin e Donjeckut, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për të mbrojtur atë, pasi është i mitur. Sipas një llogarie në rrjete sociale të vendlindjes së tij, ai mori pjesë në kampin e trajnimit të quajtur Mbrojtësit 2024, dhe fitoi medaljen e bronzit për çmontimin dhe montimin e një pushke të llojit AK-74.

Pjesëmarrësit “u stërvitën të përdornin armë dhe morën trajnim bazik ushtarak, studiuan taktikat moderne dhe metodat e luftës”, u tha në postim. Aty po ashtu u tha se “më shumë se 300 nxënës” nga Rusia dhe rajonet e Donjeckut dhe Zaporizhjas “bënë betimin për besnikëri ndaj Yunarmias”.

Ish-anëtarët e Gardës së Re-Yunarmia nga pjesët e pushtuara të rajonit të Donjeckut po luftojnë në luftën kundër Ukrainës.

Stanislav Sikorskiy nga Horlivka, i cili ka përfunduar shkollën e mesme më 2018, ishte anëtar edhe i Yunarmias edhe i Gardës së Re-Yunarmia, sipas llogarisë së këtij të fundit në rrjetin social, Vkontakte. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ai ishte “në radhët” e ushtrisë ruse dhe luftoi në betejat që u zhvilluan në rajonin e Hersonit.

SHIKONI EDHE:

Jeta e dyfishtë e fëmijëve që i ikën luftës në UkrainëUkraina fton Papën për vizitë, i kërkon ndihmë për fëmijët e dëbuar në RusiMbajtja e fëmijëve ukrainas në kampet ruse, “mund të jetë krim lufte”

Sikorskiy u çmilitarizua më 2023. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për bisedë nga Radio Evropa e Lirë.

Hanna Lisovenko, po ashtu nga rajoni i Donjeckut, iu bashkua njësisë së Gardës së Re-Yunarmia të quajtur Spartans. Ajo iu bashkua kësaj njësie më 2017, kur ishte 17-vjeçare. Postimet në llogaritë e saj në rrjetet sociale lënë të kuptohet se ajo tani po lufton kundër Ukrainës si operatore e dronëve, në kuadër të një grupi taktik të inteligjencës ushtarake ruse që përbëhet kryesisht nga militantët e rajonit të Donjeckut që janë përfshirë në luftë që nga viti 2014.

“Isha vetë në Yunarmia dhe tani shërbej në ushtri. Pothuajse gjysma e atyre që u shkolluan me mua zgjodhën rrugën e ushtrisë. Fatkeqësisht, shumë nga ta veçse kanë vdekur. Disa nga ta janë plagosur rëndë dhe nuk mund ta vazhdojnë shërbimin e tyre ushtarak”, tha ajo për Skemat. “Ky është realiteti në rajonin tonë”.

Lisovenko tha se “aftësitë e përdorimit të armëve, trajnimi fizik dhe mësimi i historisë” që ajo mori nga Garda e Re-Yunarmia ishin të dobishme gjatë luftës në shkallë të gjerë kundër Ukrainës.

Zozulskiy, Sikorskiy, dhe Lisovenko janë nga pjesë të Ukrainës që kanë qenë nën kontrollin e Rusisë që një dekadë. Por, Yunarmia po ashtu operon në zonat që forcat ruse pushtuan pas nisjes së luftës në shkallë të gjerë më 2022.

Një imazh nga dega e Yunarmias në Mariupolin e pushtuar nga Rusia pas një rrethimi të gjatë dhe shkatërrues në pranverën e vitit 2022.

Verën e kaluar, dega e saj e sapohapur në Mariupol mbajti shtatë sesione në një kamp në Detin Azov. Në mesin e shumë gjërave, fëmijët u mësuan se si të gjuanin me pushkë.

Një nga organizatorët e kampit ishte Valeriy Onatskiy, kreu i Departamentit për çështje të familjes dhe fëmijëve në administratën pushtuese në Maripol. Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë më 2023 gjeti se Onatskiz ishte përfshirë në zhvendosjen e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara për një Rusi – aktivitet që nxiti Gjykatën Ndërkombëtare Penale të lëshonte fletarrestim për Putinin, nën dyshime për krime lufte.

SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se fletarrestimi ndaj Putinit i ka ndihmuar në kthim të fëmijëve të dëbuar

Autoritetet pushtuese thanë në nëntor të vitit 2022 se degë të Yunarmias ishin hapur edhe në pjesët e rajoneve Herson dhe Zaporizhja, që janë nën kontrollin rus.

Kreu i Yunarmias në rajonin e Zaporizhjas është Fidail Bikbulatov, shtetas rus që inteligjenca ukrainase e akuzon për përfshirje në rrëmbime masive, dëbim të paligjshëm dhe transferim me forcë të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara të Ukrainës për në Rusi.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Bikbulatov tha se Yurmania i sheh “anëtarët e saj si persona që e lidhin jetën e tyre me shërbimin ushtarak në të ardhmen”.

“Ne shohim potencial në ta, ne presim nga ta që të bëhen personel ushtarak”, tha ai. “Ne i trajnojmë, punojmë me ta dhe duam që ata të bëhen ushtarë – Ministria e Mbrojtjes madje ofron përfitime për ish-anëtarët e Yunarmias kur ata i bashkohen [ushtrisë] – por, e gjithë kjo bëhet në formë vullnetare”.

Provat lënë të kuptohet se udhëheqja e Yunarmias gjykon performancën e degëve të saj, të paktën e bënë këtë pjesërisht duke shikuar numrin e ish-anëtarëve që i janë bashkuar ushtrisë ruse. Në tetor, zëvendësshefi i Yunarmias, Viktor Kaurov, u dërgoi letra degëve rajonale lidhur me “rishikimin” e detyrueshëm vjetor dhe tha se vlerësimi do të përfshijë dy parametra: “numrin e kadetëve të Yurmanias që janë thirrur për shërbim ushtarak dhe që janë regjistruar në universitete të ushtrisë” dhe “numrin e kadetëve të Yurmanias që janë regjistruar në qendrat e trajnimit të ushtrisë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku