Rusia thotë se i parandaloi sulmet me dronë afër Moskës

Dëmet e shkaktuara nga një sulm me dronë në një ndërtesë në Moskë më 1 gusht 2023. (Fotografi nga arkivi).

Rusia pretendon se mbrojtja e saj ajrore e shkatërroi një dron që po i afrohej Moskës dhe dy të tjerë në një rajon në kufi me Ukrainën gjatë natës së 27 gushtit.

Mbrojtja ajrore në rrethinën Lyubertsy në juglindje të kryeqytetit “e rrëzoi një dron që po fluturonte drejt Moskës”, tha kryetari i qytetit, Sergei Sobyanin, në Telegram, pa treguar se kush e kreu sulmin.

“Nuk ka viktima apo dëme, sipas raportimeve fillestare. Shërbimet emergjente janë në vendin e ngjarjes”, shkroi ai.

Lexoni edhe këtë: Mbyllen përkohësisht aeroportet kryesore të Moskës pas një sulmi me dron

Po ashtu, edhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja ajrore e saj e shkatërroi një dron në rrethinën Lyubertsy rreth orës 4:30 të hënën dhe e fajësoi Kievin për sulmin.

Trafiku ajror në aeroportet e Moskës, Domodedovo dhe Vnukovo, u pezullua, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Rusisë, TASS, e cila e citoi shërbimin e aviacionit.

Dy dronë të tjerë u shkatërruan nga mbrojtja ajrore në rajonin Bryansk në kufi me Ukrainën, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Ajo nuk tregoi nëse ka pasur viktima apo dëme.

Kryeqyteti dhe rajonet tjera ruse kanë qenë cak i sulmeve të njëpasnjëshme nga dronët ukrainas në javët e fundit, pasi Kievi u zotua në fillim të verës do t’i përgjigjet me luftë Rusisë.

Lexoni edhe këtë: Zelensky paralajmëron se lufta në Rusi po vjen, pas sulmeve me dronë në Moskë