Rusia vazhdoi sulmet në portet ukrainase të Detit të Zi për të katërtën ditë me radhë, duke goditur objektet e magazinimit të grurit në rajonin e Odesës dhe duke shkaktuar dëme e lëndime.
Agresioni erdhi pasi Rusia refuzoi të vazhdonte marrëveshjen e lehtësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkura, përmes së cilës ishte lejuar eksporti i sigurt i grurit të Ukrainës në vende tjera.
Guvernatori rajonal, Oleh Kiper, tha se Rusia lëshoi raketa të tipit Kalibër nga anijet në Detin e Zi, duke shkatërruar një terminal të drithërave dhe duke plagosur dy persona.
“Fatkeqësisht, u godit një terminal drithërash i një prej ndërmarrjeve bujqësore të rajonit të Odesës. Armiku shkatërroi 100 tonë bizele dhe 20 tonë elb. Dy persona u plagosën nga shpërthimi”, tha Kiper.
Kiper tha se fillimisht dy raketa goditën hambarin, duke shkaktuar zjarr, më pas një raketë e tretë goditi të njëjtin vend në kohën kur zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin flakët.
"Një raketë tjetër goditi të njëjtën ndërmarrje, duke dëmtuar pajisjet bujqësore dhe të shpëtimit. Një zjarr në një sipërfaqe prej më shumë se 200 metra katrorë u shua shpejt", tha Kiper.
Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se marina e saj kreu një "ushtrim" me zjarr të drejtpërdrejtë në veriperëndim të Detit të Zi më 21 korrik, vetëm disa ditë pasi Kremlini tha se anijet e ngarkesave që shkojnë në drejtim të porteve të Ukrainës në Detin e Zi do të konsideroheshin si objektiva të mundshëm ushtarakë.
Rusia shënjestron depot ushqimore
Më 20 korrik, raketat ruse goditën rajonet Odesa dhe Mikolaiv, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur 20 të tjerë, në mesin e tyre pesë fëmijë, dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në instalimet portuale.
Raketat ruse goditën edhe zonat e banuara në qendër të Odesës dhe Mikolaivit.
Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se terminalet e grurit dhe infrastruktura portuale në portet e Odesa dhe Çornomorsk ishin në shënjestër. Në Çornomorsk, 60,000 ton grurë u shkatërruan, tha ministria.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se seria e sulmeve në Ukrainën jugore kishte në shënjestër objektet ku pretendonte se Ukraina po ndërtonte dronë që Moska thotë se i përdori për të dëmtuar urën që lidh këtë vend me gadishullin e aneksuar të Krimesë.
SHIKONI EDHE: Rriten çmimet e drithërave pasi Rusia kërcënon anijet transportuesePor presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet ruse kishin shënjestruar "qëllimisht" portet në rajonin e Odesës që përdoren për të eksportuar grurë, pasi Rusia refuzoi të zgjasë marrëveshjen.
"Rreth një milion ton ushqim ruhen në portet që u sulmuan sot. Saktësisht vëllimi që duhet të ishte dorëzuar në vendet e konsumit në Afrikë dhe Azi shumë kohë më parë", tha Zelenskiy në një video-mesazh.
“E gjithë bota duhet ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për terrorin”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres kritikoi sulmet pranë qyteteve portuale të Detit të Zi.
"Këto sulme kanë një ndikim shumë përtej Ukrainës. Ne tashmë po shohim efektin negativ në çmimet globale të grurit dhe misrit që i dëmton të gjithë, veccanërisht kategoritë e varfra në botë", tha zëdhënësja e Guterres, Stephane Dujarriq.
Situata në fushëbetejë
Përshkallëzimi i Detit të Zi vjen pasi Kievi raporton një përpjekje të re të Rusisë për t'u kthyer në ofensivën në verilindje.
"Armiku vazhdon të përqendrojë përpjekjet e tij kryesore në Kupiansk [në rajonin e Harkivit], Liman, Bahmut, Avdivka dhe Marinka [në rajonin e Donjeckut], ku u zhvilluan 32 beteja të ngushta luftarake gjatë ditës së kaluar", tha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës më 21 korrik.
Sipas tyre, mbrojtësit ukrainas në Kupiansk zmbrapsën sulmet e trupave ruse në jugperëndim të Masiutivkës.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara thanë se bombat thërrmuese të furnizuara nga SHBA po vendosen në terren.
SHIKONI EDHE: Rusia thotë se ura e Krimesë është rihapur pjesërishtZëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se municionet kanë një ndikim në formacionet dhe manovrat mbrojtëse.
"Ne kemi marrë disa reagime fillestare nga ukrainasit dhe ata po i përdorin ato në mënyrë mjaft efektive", tha Kirby në një konferencë shtypi.
Gjithashtu më 20 korrik, Valeriy Zaluzhniy, komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase, pati një telefonatë për situatën operacionale përgjatë gjithë vijës së frontit me gjeneralin amerikan Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët.
"Forcat e armatosura të Ukrainës, pavarësisht nga fushat e minuara dhe jashtëzakonisht komplekse të armikut, po shkatërrojnë në mënyrë metodike forcat e armikut dhe vazhdojnë të kryejnë veprime sulmuese për të çliruar territorin tonë. Ne jemi të suksesshëm në disa fusha. Ushtarët tanë janë heronj", tha Zaluzhniy në Facebook.
Raportet nga fushëbeteja nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.