Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 27 korrik udhëtoi për në qytetin e Dnjeprit, që kanë qenë vazhdimisht cak i sulmeve ruse. Kjo vizitë vjen pak pasi forcat ruse nisën sulme me dronë dhe raketa në Ukrainë, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme.
“Ne e filluam orarin e punës në Dnjepër”, shkroi Zelenskiy në Telegram. “[Duhet] vëmendje e madhe për sigurimin e municioneve për trupat... efektshmërinë e përdorimit të sistemeve ekzistuese të mbrojtjes ajrore dhe forcimin e mburojës ajrore”, shkroi Zelenskiy, duke iu referuar temave të diskutimit me zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë.
Gjatë natës, forcat ruse nisën një valë të re sulmesh me dronë dhe raketa drejt objektivave në Ukrainë, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme, tha ushtria më 27 korrik.
Autoritetet në Kiev thanë se Moska ka shkatërruar dhjetëra objekte të eksportit të grurit që nga largimi i saj nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja në fillim të këtij muaji.
Raketat Kalibr të lëshuara nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi vranë një roje sigurie dhe dëmtuan një terminal mallrash në rajonin e Odesës, tha guvernatori Oleh Kiper, në orët e hershme të 27 korrikut.
Odesa, porti kryesor i Ukrainës në Detin e Zi, është shënjestruar vazhdimisht nga sulmet ruse në javët e fundit.
SHIKONI EDHE: NATO rrit mbikëqyrjen e Detit të Zi, kritikon Rusinë për daljen nga marrëveshja e gruritNdërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura tha në raportin ditor se Rusia përdori edhe një herë dronët Shahed të prodhuar nga Irani, duke shtuar se ende nuk dihen saktësisht dëmet e pësuara nga këto sulme.
“Fatkeqësisht, ka viktima në mesin e popullatës civile, ndërtesat e banimit janë shkatërruar”, tha ushtria.
Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, tha se Rusia dëmtoi ose shkatërroi 26 objekte në porte apo objekte magazinimi të grurit që kur refuzoi ta zgjaste marrëveshjen që do ta lejonte eksportin e vazhdueshëm të drithërave ukrainase në botë.
Kubrakov, duke folur në orët e vona të 26 korrikut, tha se qëllimi i sulmeve ruse është “privimi i botës nga ushqimi ukrainas, duke krijuar kështu një krizë globale ushqimore”.
“Vetëm në nëntë ditët e fundit, si rezultat i sulmeve ruse, 26 objekte të infrastrukturës në porte dhe pesë anije civile u dëmtuan dhe u shkatërruan pjesërisht”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Rusia sulmon Odesën, shkatërron qindra tonë rezerva ushqimoreAleatët e NATO-s dhe Ukraina dënuan më 26 korrik vendimin e Rusisë për t'u tërhequr nga marrëveshja e grurit të Detit të Zi. Ata kritikuan edhe sulmet që i cilësuan si përpjekje të qëllimshme të Rusisë për t’i ndaluar eksportet bujqësore të Ukrainës.
Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi të Këshillit NATO-Ukrainë në Bruksel, NATO tha se aleatët dënojnë sulmet e fundit raketore të Rusisë në Odesa, Mykolayiv dhe qytete të tjera pranë porteve, përfshirë sulmin “cinik” me dronës në objektin e magazinimit të grurit në Ukrainë, në Reni – pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë anëtare të NATO-s.
“Rusia vazhdon të tregojë mungesë respekti të plotë për ligjin ndërkombëtar dhe për njerëzit në mbarë botën që varen nga gruri ukrainas”, tha në një deklaratë zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me aleatët tanë të Detit të Zi, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë njëri-tjetrin dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet”.
Për më tepër, aleatët e NATO-s thanë se do të rrisin mbikëqyrjen në rajonin e Detit të Zi përmes avionëve të patrullimit detar dhe dronëve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shpreh i kënaqur me “dënimin e qartë” nga këshilli për tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja e grurit.
Marrëveshja skadoi më 17 korrik, pasi Rusia u tërhoq, një veprim që Kombet e Bashkuara thanë se do të ishte “një goditje për njerëzit në nevojë kudo në botë”.
Moska tha se arsyeja e saj për të hequr dorë nga marrëveshja ishte se kërkesat e saj për t’i përmirësuar eksportet e saja të grurit dhe plehrave nuk u përmbushën.
Rusia lëshoi një breshëri raketash drejt Ukrainës ndërsa u mblodh këshilli NATO-Ukrainë. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, tha se ushtria ukrainase rrëzoi raketat ruse në rajonet e Kievit, Harkiv dhe Dnipropetrovsk në orët e vona më 26 korrik.