Medvedev: Paqeruajtësit e NATO-s në vijën e parë, do të jenë një objektiv legjitim

Dmitry Medvedev.

Rusia do t’i konsiderojë të ashtuquajturit paqeruajtës të NATO-s si objektiva legjitime nëse ata vendosen në vijën e parë të frontit në Ukrainë, njoftoi zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev.

“Ata do të jenë objektiva legjitime për forcat tona të armatosura, nëse vendosen në vijën e parë me armë në dorë, pa pëlqimin e Rusisë dhe nëse janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për ne”, tha Medvedev në një postim në Telegram.

Sipas tij, qëllimi i vërtetë i Perëndimit është vendosja e një armëpushimi në vijën e frontit që u përshtatet atyre.

“Është e qartë se të ashtuquajturit paqeruajtës të NATO-s thjesht do të hyjnë në konflikt në anën e armikut tonë (Ukrainës) dhe do të shkaktojnë pikërisht luftën e tretë botërore, nga e cila ata kanë aq frikë kur flasin për të”, shtoi Medvedev.

SHIKONI EDHE: Shënohet përvjetori i parë i masakrës në Buça, Zelensky zotohet për ndëshkim të përgjegjësve

Në të njëjtën kohë, më 31 mars, Rusia miratoi një strategji të re të politikës së jashtme, në të cilën SHBA-ja dhe Perëndimi theksohen si burime të një “kërcënimi ekzistencial” për Moskën, në mes të krizës diplomatike lidhur me konfliktin në Ukrainë.

“Përmbysjet në skenën ndërkombëtare” e detyrojnë Rusinë të “përshtatë dokumentet e saj të planifikimit strategjik, veçanërisht atë për konceptimin e politikës së jashtme të Rusisë”, tha presidenti Vladimir Putin në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, raporton AFP.

Rusia e ka vendosur si “prioritet” eliminimin e “dominimit” të SHBA-së dhe Perëndimit, ndërkohë që e përshkruan veten si një “civilizim” që mbron qytetarët e zonave rusishtfolëse.