Rusia përballet me treg të zi të certifikatave të vaksinimit

Një qendër e vaksinimit kundër koronavirusit në Moskë.

Në Rusi po lëshohen gjithnjë e më shumë certifiakata të rreme të vaksinimit kundër koronavirusit, si dhe teste negative për virusin, derisa ky vend po kalon nëpër valën më të rëndë të sëmundjes COVID-19, thanë autoritetet.

Zyrtarë të zbatimit të ligjit në Moskë thanë të premten se kanë arrestuar një burrë, 33 vjeç, të dyshuar për shitjen e certifikatave të falsifikuara te banorët e qytetit.

Policia në Shën Petersburg tha se ka nisur disa hetime kundër individëve që shesin certifikata të rreme vaksinimi dhe teste të rreme PCR, që tregojnë praninë ose jo të koronavirusit në organizëm.

Një ditë më herët, Rusia raportoi për 672 viktima nga koronavirusi brenda 24 orësh.

Shifra ishte rekorde për të tretën ditë me radhë.

Situata më e rëndë me koronavirus është në Moskë dhe Shën Petersburg - dy qytetet më të mëdha të Rusisë.

Shefi i Departamentit të Shëndetësisë në Moskë, Aleksei Khripun, u bëri thirrje të gjithë banorëve të kryeqytetit rus që të vaksinohen.

SHIKONI EDHE: Putin u bën thirrje rusëve të vaksinohen

Një sondazh i opinionit në muajin shkurt ka treguar se mbi 62 për qind e rusëve të anketuar, nuk duan të vaksinohen.

Në fund të majit, kur numri i rasteve me koronavirus në Rusi ka nisur të rritet sërish, autoritetet në Moskë dhe disa rajone të tjera kanë marrë vendim që ta bëjnë vaksinimin e detyrueshëm për njerëzit që punojnë në sektorin publik.

Deri më 2 korrik, Rusia ka regjistruar gjithsej 5,538,142 raste me koronavirus dhe 135,886 viktima.

SHIKONI EDHE: Rusia nis me dhënien e dozave përforcuese të vaksinave