Putin nënshkruan ligjin që kufizon kompanitë e huaja IT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi ligjin që i obligon kompanitë e huaja të teknologjisë informative (IT) të krijojnë njësi vendore - në të kundërtën, do të përballen me ndëshkime ose ndalesa të mundshme.

Ligji kërkon që kompanitë e huaja IT, me një audiencë ditore prej të paku 500,000 njerëzish, të krijojnë degë të plota në Rusi, që do të ishin “përgjegjëse për shkeljet e legjislacionit rus”.

Ligji do t’i prekë të gjitha kompanitë IT, pronarët e faqeve të internetit, sistemet e informacionit dhe programet që shpërndajnë përmbajtje në rusisht ose në gjuhët e grupeve etnike në Federatën Ruse.

Përveç kësaj, firmat që drejtojnë reklama që shënjestrojnë qytetarët rusë, që përpunojnë të dhëna personale të përdoruesve të vendosur në Rusi, ose që marrin mbështetje financiare nga qytetarë ose kompani ruse, do të duhet të krijojnë degë në Rusi, nisur nga 1 janari, 2022.

Ligji po ashtu e bën të detyrueshme që subjektet e tilla të regjistrohen në faqen e internetit të vëzhguesit rus të mediave, Roskomnadzor, për komunikim të ndërsjellë.

SHIKONI EDHE: Rusia teston internetin e saj, ekspertët ngrisin dyshime

Në vitin 2019, Rusia ka miratuar edhe një ligj për “sovranitetin në internet” që u jep zyrtarëve kompetenca të gjera për të kufizuar trafikun në internet.

Në janar dhe fillim të shkurtit, platforma të tilla si Facebook, YouTube dhe TikTok kanë luajtur rol të madh në promovimin e disa tubimeve masive anti-qeveritare në Moskë dhe gjetkë në Rusi.

Moska ka paralajmëruar vazhdimisht se është e gatshme të përdorë ligjin për “sovranitetin në internet” nëse trazirat arrijnë një shkallë serioze.