Një gjykatë në Moskë ka gjobitur të hënën kompaninë Google me 21 miliardë rubla (360 milionë $) pasi sipas saj, nuk ka hequr përmbajtje në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Rregullatori i telekomunikacionit rus, “Roskomnadzor” deklaroi të hënën se platforma video e YouTube-it, në pronësi të Google-it, dështoi në bllokimin e “informacioneve të rremë” mbi ofensivën ruse në Ukrainë, sikurse edhe në heqjen e “propagandës ekstremiste dhe përmbajtjeve terroriste” të cilat i bënin thirrje të miturve të merrnin pjesë në demonstrata të paautorizuara.
Kjo është hera e dytë që autoriteti rus gjobit Google pasi vitin e kaluar gjiganti i telekomunikacionit botëror u gjobit me 98 milionë dollarë.
Llogaria bankare e filialit rus të Google u bllokua, çka solli dhe falimentimin e saj dhe bëri të pamundur pagesën ndaj stafit dhe furnizuesve lokalë.
Kompania Google, e cila mund të apelojë vendimin, nuk i është përgjigjur ende kërkesës për koment.
Në qershor të këtij viti, rregullatori rus i telekomunikacionit “Roskomnadzor” deklaroi se platforma YouTube po shpërndante informacion të rremë mbi konfliktin në Ukrainë dhe kishte lejuar promovimin e pikëpamjeve ekstremiste në vend.
"Faqja e videove YouTube me qëllim promovon shpërndarjen e informacioneve të pavërteta mbi progresin e operacionit special ushtarak në Ukrainë, duke diskretituar forcat e armatosura të Federatës Ruse”, deklaroi Roskomnadzor.
SHIKONI EDHE: Si i lejoi Google lajmet e rreme për gjenocidin në Srebrenicë?Rusia pretendon se po zhvillon “një operacion special ushtarak” në Ukrainë, për të eliminuar, sipas saj një kërcënim ndaj sigurisë dhe për të mbrojtur popullsinë rusisht-folëse nga persekutimi.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë hedhin poshtë akuza të tilla si pretekste të pabaza për një grabitje të paligjshme territoresh.
Google, konfirmoi më 1 mars se kishte hequr mediat ruse të financuara nga shteti si “RT” nga seksioni i saj i lajmeve, përfshi mjetin e kërkimit të Google News, pas pushtimit rus të Ukrainës raporton agjencia e lajmeve Reuters.