Rusia e shpall laureatin e Nobelit si “agjent të huaj”

Dmitry Muratov.

Autoritetet ruse e kanë shpallur gazetarin Dmitry Muratov si “agjent të huaj”, vendim që zakonisht merret kundër kritikëve të Kremlinit.

Muratov e ka fituar Çmimin Nobel për Paqe më 2021, dhe është një prej shumë shtetasve rusë të shtuar në këtë listë.

Ai është kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse Novaya.

Të ashtuquajturit agjentë të huaj kanë qenë subjekte të bastisjeve policore dhe masave tjera të ashpra.

Muratov është ende në Rusi, mirëpo shumë rusë tjerë të shënjestruar me një vendim të tillë, kanë ikur prej Rusisë, prej kur Moska e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ministria ruse e Drejtësisë ka thënë se Muratov ka “krijuar dhe shpërndarë material të prodhuar nga agjentët e huaj dhe e ka përdorur për të shpërndarë opinione negative për politikat e jashtme dhe të brenshme të Rusisë”.

Sipas ligjit rus, individët dhe organizatat që marrin fonde prej jashtë, mund të shpallen agjentë të huaj, çka potencialisht mund t’ua dëmtojë kredibilitetin në publikun rus.

Ata që shpallen agjentë të huaj duhet patjetër ta përmendin këtë status në publikimet e tyre.

Gazeta Novaya dhe Muratov njihen ndërkombëtarisht për raportimet hulumtuese që Kremlini shpesh i ka parë si kritika ndaj tij.

Muaj më parë, Muratov e ka vënë në ankand Çmimin e tij Nobel, duke thënë se 103.5 milionët e fituar do t’i dërgojë si ndihma për fëmijët refugjatë nga Ukraina.

SHIKONI EDHE: Gazetari rus shet medaljen e Çmimit Nobel për 103 milionë dollarë

Gazeta Novaya e ka pezulluar punën më 2022, si përgjigje ndaj legjislacionit rus që parasheh dënime të ashpra për diskreditim të ushtrisë ruse.

Shumë prej gazetarëve të saj janë rigrupuar dhe punojnë në Letoni.

Puna e rrezikshme për gazetën ruse Novaya