Ish-marinsi amerikan, Trevor Reed, është dënuar në mungesë me 14 vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë ruse, për akuzat se i ishte bashkuar ushtrisë ukrainase si mercenar.
Komiteti Hetimor i Rusisë tha të mërkurën se Reed u regjistrua në forcat ukrainase në maj të vitit 2023 dhe mori pjesë në operacione luftarake në rajonin e Donjeckut.
Pjesëmarrja e Reed në luftë u bë publike në korrik 2023 kur ai u plagos nga shpërthimi i një mine derisa luftonte për Ukrainën. Disa media kishin raportuar se ai i ishte bashkuar ushtrisë ukrainase si luftëtar i huaj në nëntor 2022.
Departamenti amerikan i Shtetit tha në atë kohë se ai ishte transferuar në Gjermani për kujdes mjekësor pas plagosjes.
Reed doli në lajme në vitin 2020, kur u dënua me nëntë vjet burg im në Rusi për akuzën se sulmoi oficerët e policisë ruse pas një ndalese në trafik, gjë që është mohuar nga ai.
SHIKONI EDHE: Gjykata ruse e dënon me gati 7 vjet burgim një shtetas amerikanNë prill të vitit 2022, Reed, i cili deri atëherë kishte vuajtur gati tre vjet në një burg rus, u këmbye me pilotin rus, Konstantin Yaroshenko, i cili kishte qenë duke vuajtur një dënim prej 20 vjetësh në Shtetet e Bashkuara për trafikim të drogës.
Dënimi i Reedit në mungesë vjen disa ditë pasi dy amerikanë të tjerë u dënuan nga gjykatat ruse, duke rritur shqetësimet për motivet politike që qëndrojnë pas ndalimeve të tyre në mes të tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit.
Stephen Hubbard, 72 vjeç, u dënua nga Gjykata e Qytetit të Moskës më 7 tetor me gjashtë vjet e 10 muaj burgim nën akuzat se ishte mercenar dhe se luftoi kundër Rusisë në Ukrainë.
Ndërkohë, Robert Gilman, një ish-marins amerikan 30-vjeçar, u dënua me shtatë vjet e një muaj burgim për sulm ndaj një zyrtari të burgut dhe një hetuesi.
Gilman, i cili po vuante një dënim prej 3 vjetësh e gjysmë burgim për sulm ndaj një oficeri policie në vitin 2022 ndërsa ishte i dehur, dyshohet se i kreu sulmet në fund të vitit 2023 gjatë kohës në paraburgim.
SHIKONI EDHE: Dushe të gjata, ujë i pastër, përqafime, avokado: Alsu Kurmasheva rinis jetën pas burgut në RusiNdalimet dhe arrestimet e profilit të lartë të amerikanëve në Rusi shihet nga analistët si pjesë e strategjisë së Moskës për të ushtruar presion ndaj Uashingtonit.
Ato cilësohen më shumë si të motivuara politikisht dhe si përpjekje e Rusisë për t’i përdorur ata për marrëveshje me Uashingtonin për këmbimin e të burgosurve.
Në gusht u liruan tre shtetas amerikanë – përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich dhe ish-marinsin amerikan, Paul Whelan – në këmbim të të burgosurve rusë që po vuanin dënime në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
Dënimi me burgim i shtetasve amerikanë po ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë të tensionuara, pasi ato u përkeqësuan nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe sanksionet perëndimore që synojnë të dobësojnë pozicionin e Moskës.